Veliaj: Thirrje çdo qytetari që t’i bashkohet nismës së Presidentit për të shpëtuar jetë

Thirrjes së Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të dhuruar gjak iu bashkuan sot edhe punonjësit e Policisë Bashkiake të Tiranës. Disa dhjetëra efektivë vendosën të japin një kontribut për të gjithë ata persona që, në një moment të jetës së tyre, kanë nevojë për gjak. Nisma u përshëndet edhe nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se Bashkia e Tiranës është gjithmonë e para në çdo iniciativë fisnike dhe se dita e sotme është një provë e sinqertë e angazhimit në shërbim të qytetarit.

“Jam shumë krenar për të gjithë kolegët e Policisë Bashkiake. Bashkia e Tiranës është gjithmonë e para në çdo nismë fisnike, për të dhënë një kontribut të prekshëm për qytetarët. Policia Bashkiake i është përgjigjur thirrjes së Presidentit të Republikës, siç i përgjigjet thirrjes së çdo qytetari që ka nevojë për Policinë Bashkiake. Këta punonjës bëjnë një nga punët më të vështira, më delikate, që kërkon shumë nerva e durim. Sikur një ditë të mos jetë Policia Bashkiake, rikthehet Kandahari që kemi pasur. Për një institucion, i cili është kaq shumë në vëmendje të publikut, besoj se dhurimi i gjakut për fëmijët talasemikë është prova më e sinqertë e këtij angazhimi,”, tha Veliaj.

Ai falenderoi miqtë e Kryqit të Kuq, si partnerë lokalë në këtë aleancë të shpallur nga Presidenti i Republikës. “Do të donim që çdo degë e Kryqit të Kuq të ishte partner i çdo bashkie në terren, për t’u siguruar që ky binom, Bashki – Kryqi i Kuq, funksionon në të gjithë territorin”, nënvizoi kreu i bashkisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Veliaj, i cili është njëkohësisht edhe kreu i Shoqatës për Autonominë Vendore, kërkoi që shembulli i Bashkisë së Tiranës të ndiqet edhe nga bashkitë e tjera në vend, duke u bërë pjesë e aleancës për dhurimin e gjakut. “E shfrytëzoj këtë mundësi t’i bëj thirrje jo vetëm policëve bashkiakë dhe bashkive të tjera, por çdo institucioni jashtë Tiranës, që të trokasë në derën e Kryqit të Kuq, të jenë pjesë e kësaj aleance, dhe teksa njerëzit kthehen nga pushimet, qoftë edhe për rigjenerimin fizik të trupit, dhurimi i gjakut është një kauzë që ndihmon jo vetëm atë që po merr gjakun e dhuruar, por edhe atë që e dhuron. Ndaj, i bëj thirrje qytetarëve që t’i bashkohen aleancës së shpallur nga Presidenti për dhurimin e gjakut, sepse është ndoshta mundësia më e mirë se si dhjetë minuta dhe disa mililitra gjak, mund të shpëtojnë jetën e një njeriu, që nesër mund të ndryshojë realitetin në këtë vend”, deklaroi ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kryeinspektori i Policisë Bashkiake së Tiranës, Ermal Kapllani, shprehu vullnetin e punonjësve të këtij institucioni për të dhuruar gjak dhe u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë. “Jemi shumë të lumtur për kontributin që po japim në ndihmë të fëmijëve në nevojë”, tha ai.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?