Veliaj: Toleranca fetare, themel i ekzistencës tonë kombëtare

Duke folur në takimin e sotëm me urdhërat katolikë në Europë, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj falenderoi komunitetet fetare për kontributin dhe ndihmën sociale që japin çdo ditë në vendin tonë. Veliaj tha se Shqipëria i është mirënjohëse komunitetit katolik, i cili i është gjendur pranë shtresave dhe komuniteteve në nevojë. “E di që krenaria është ves, por di që sot keni çdo të drejtë të ndjeheni krenarë për kontributin që keni dhënë në këtë vend, veçanërisht në fushën e shërbimeve sociale, arsimit profesional dhe kujdesit për më të dobëtit. Një punë dhe përkujdesje që ka mbushur mungesën që kanë lënë shërbimet tona shtetërore të përkujdesit”, u shpreh Veliaj. Më tej ai ka veçuar si një dhuratë bashkëjetesën fetare në vend, e cila sipas tij është bazike për vetë ekzistencën e kombit shqiptar. “Si shqiptarë jemi të vetëdijshëm që ekzistenca e vetë kombit tonë është e lidhur pazgjidhshmërisht me këtë dhuratë, dhuratën e unitetit kombëtar të ndërtuar mbi disa përkatësi besimi. Për ne pra, bashkëjetesa nuk është një luks, por është në themel të ekzistencës sonë. Bashkëjetesa jonë fetare, në fakt, nuk është e ndërtuar mbi tolerancë, tolerancë në kuptimin e një veprimi që i forti bën ndaj të dobëtit, apo të shpërfilljes ndaj ekzistencës së tjetrit, por në një të vërtetë themelore të trajtimit të çdo komuniteti fetarë me respekt të plotë dhe barazi pavarësishtë përbërjes së tij numerike apo forcës së tij ekonomike apo politike”, deklaroi Veliaj. Ai tha se Shqipëria është kthyer tashmë në një pikëtakimi të rëndësishëm i besimit në Evropë, ku pas vizitës së Papa Franceskut, në shtator do të mirëpresë edhe takimin mbarëbotëror të Paqes, ku pritet të marrin pjesë qindra përfaqësues fetarë nga e gjithë bota.

SHKARKO APP