Veliaj: Urbanizim në shumë prej ish-komunave që trashëguam (FOTO)
Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për shtrimin e Rr. “Alla” dhe hapjen e segmentit të ri që e lidh atë me Rr. “Shyqyri Brari”, të cilat ndodhen në një nga blloqet e banimit ku zhvillimi i ndërtimeve dhe i bizneseve nuk ka ecur paralelisht me urbanizimin dhe sistemimin e hapësirave publike.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet dhe shprehu vendosmërinë e institucionit që drejton për të urbanizuar edhe ato zona, si Farka, ku për vite me radhë ish komunat kanë dhënë leje ndërtimi pa menduar për infrastrukturën dhe urbanizimin. “Kjo është një lagje e mbipopulluar, kryesisht nga lejet e dhëna nga ish-komuna Farkë pa menduar fare për urbanistikën, se ku do jenë kanalizimet, asfalti dhe trotuari, pa menduar ku do jenë shkollat, kopshte e çerdhet. Këto janë sfida e Bashkisë sonë, që në shumë prej komunave që ka trashëguar, si këtu në Farkë, si në Kashar, ku vitet e fundit ndërtimet kanë bërë kërdinë, tani na duhet të sjellim edhe urbanizimin”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku siguroi se Bashkia e Tiranës do të bëjë maksimumin për sistemimin e zonave të tilla ku mbizotërojnë ndërtimet e reja me leje të dhëna nga ish-komunat. “Po bëjmë maksimumin që t’i sistemojmë e t’i urbanizojmë këto zona që i gjetëm në një situatë katastrofë. Por, nga tani e tutje lipset që, para se të vëmë kujën ku është shteti, ta kërkojmë shtetin që në fillim, përpara se të vëmë të gjitha kursimet e jetës sonë në një banesë që s’ka as hipotekë, as ujë, as shërbime dhe vetëm pasi zbulojmë që e gjithë kjo ishte një piramidë ndërtuesish, atëherë kujtohemi që të kërkojmë këto lloj shërbimesh”, u shpreh kreu i Bashkisë.
Punimet në këtë zonë parashikojnë disiplinimin e ujërave, rrjetin inxhinierik, asfaltimin, si dhe pajisjen me të gjithë sinjalistikën e nevojshme për të rritur sigurinë e banorëve. Ky projekt do të shërbejë si katalizator i rivitalizimit të bllokut, përmirësimit të aksesit e të lëvizshmërisë dhe të infrastrukturës rrugore, dhe synon, përveç përmirësimit të kushteve të jetesës së banorëve, edhe zhvillimin ekonomik të zonës.


