Veliu i akordon certifikatë “Për shërbime të dalluara”, Oficerit Ndërlidhës të BKA-së
Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në një ceremoni me pjesëmarrje të kufizuar për shkak të protokollit të sigurisë për COVID-19, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i ka dorëzuar certifikatën “Për shërbime të dalluara”, me motivacionin “Për kontribut të shquar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Gjermanisë, në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme, në interes të forcimit të sigurisë publike, Herbert Maassen, me rastin e përfundimit të misionit të tij.
Veliu falenderoi Maassen për kontributin e tij në rritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Gjermanisë.
“Gjatë misionit të tij në Shqipëri, Oficeri Ndërlidhës i BKA-së ka treguar një angazhim mjaft profesional në kuadrin e bashkëpunimit policor ndërmjet të dy vendeve, me qëllim forcimin e luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit, në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë për qytetarët e të dy vendeve”, – u shpreh Veliu.
Zv/Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri Dr. Johannes Dietrich e falenderoi Veliun për këtë vlerësim.
“Unë ju falënderoj në emër të Republikës Federale të Gjermanisë dhe shpresojmë se do të kemi të njëjtin bashkëpunim të sinqertë dhe të besueshëm si deri tani, edhe me pasardhësin e z. Maassen, për të arritur qëllimet e përbashkëta të të dy vendeve dhe për të çuar Shqipërinë drejt BE-së”.
Vetë zoti Maassen tha se Policia e Shtetit shqiptar ka qenë, është dhe do jetë një partner i rëndësishëm bashkëpunimi për agjencitë ligjzbatuese gjermane.
“Në 4 vite që kam qenë këtu kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer në të gjitha fushat. Shqipëria ka qenë si një atdhe i dytë për mua. Ju falënderoj!”