Vendet që kanë marrë më shumë para nga BE, Shqipëria zë vendin e parë për vitin 2021
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, Shqipëria renditet në vendin e parë në Evropë në vitin 2021 si vendi me më shumë remitanca nga vendet e Bashkimit Evropian, në total mbi 1 miliard euro. Kjo është shuma më e madhe në Europë në raport me popullsinë e vendit, duke zënë rreth 6.7% të PBB-së së Shqipërisë.
Diaspora shqiptare llogaritet në më shumë se 4 milionë banorë dhe në vend jetojnë vetëm 2.7 milionë. Shumica e remitancave besohet të jenë nga anëtarët e familjes që jetojnë në diasporë, duke dërguar para për të ndihmuar të afërmit që jetojnë ende në një nga vendet më të varfra të kontinentit.
Nga të gjitha vendet e BE-së, Italia dërgoi pjesën më të madhe të parave në Shqipëri, ekuivalente me rreth 279 milionë euro ose pothuajse 25% të totalit. Kjo ishte një rritje prej 7.2% në të dhënat nga viti i kaluar. Mbretëria e Bashkuar doli e dyta pasi në kohën kur u mblodhën të dhënat, ajo ishte ende anëtare e bllokut, me 206 milionë euro ose 18.1% të totalit.
Në vendin e tretë ishte Gjermania me 172.8 milionë euro ose 15.2% të totalit. Rritja e remitancave nga Gjermania u rrit me më shumë se një të pestën midis 2020 dhe 2021. Ka pasur edhe transferta të rëndësishme nga SHBA-ja dhe Kanadaja, në total mbi 128 milionë euro ose 11.2% e totalit, një rritje prej 27% nga viti 2020.
Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se paratë e dërguara nga rezidentët e BE-së drejt vendeve jo anëtare të BE-së, të kategorizuara si transferta personale, arritën në 37.7 miliardë euro, 11% më shumë se në vitin 2021. Gjatë 10 viteve të fundit, rreth 700,000 njerëz janë larguar nga Shqipëria për të jetuar dhe punuar jashtë vendit. Përveç SHBA-së dhe Kanadasë, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Zvicra, Greqia dhe Austria mbeten vende të njohura për emigrantët.