Vendimi i Këshillit të Ministrave/ Institucione të posaçme për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor
Këshilli i Ministrave ka miratuar rregullat për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve mjekësore të posaçme, të cilat do të ofrojnë trajtim të specializuar, rehabilitim dhe siguri për personat me çrregullime të shëndetit mendor, ndaj të cilëve janë caktuar masa mjekësore sipas legjislacionit penal. Sipas vendimit, këto institucione do të funksionojnë si pjesë e sistemit shëndetësor publik, në varësi funksionale të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa ngritja e tyre do të bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, në bashkëpunim me ministrin përgjegjës për drejtësinë.
Institucionet do të trajtojnë personat që kanë kryer vepra penale dhe për të cilët gjykata ka vendosur mjekim të detyruar, të paraburgosurit ose të dënuarit që shfaqin çrregullime të shëndetit mendor gjatë qëndrimit në institucionet e vuajtjes së dënimit, si dhe personat për të cilët është vendosur shtrimi i përkohshëm me urdhër gjykate.
Numri, vendndodhja dhe kapaciteti i shtretërve do të përcaktohen në bazë të hartës kombëtare të nevojave, duke marrë parasysh numrin e personave që kanë nevojë për këtë lloj trajtimi, shpërndarjen gjeografike të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale dhe gjykatave, si dhe afërsinë me shërbimet mjekësore të specializuara dhe familjarët e pacientëve. Struktura e institucioneve do të përfshijë ekipe multidisiplinare mjekësore, psikosociale dhe rehabilituese, si dhe personel administrativ e mbështetës.
Drejtimi do t’i besohet një drejtori me përvojë në psikiatri ose administrim shëndetësor, ndërsa siguria dhe ruajtja e institucioneve do të sigurohen nga Policia e Burgjeve, në bashkërendim me drejtuesit përkatës. Vendimi parashikon që çdo pacient të përfitojë kujdes shëndetësor, trajtim dhe rehabilitim sipas standardeve të shërbimeve të shëndetit mendor, pa diskriminim për shkak të statusit juridik. Për secilin pacient do të hartohet një plan individual trajtimi dhe do të mbahet një kartelë e përbashkët multidisiplinare, për të mundësuar vlerësimin periodik të gjendjes shëndetësore dhe rishikimin e planit terapeutik.
Një tjetër element i rëndësishëm është klasifikimi i pacientëve sipas nivelit të rrezikut klinik, i cili do të vlerësohet dhe rivlerësohet nga ekipi multidisiplinar, në përputhje me protokollet e miratuara nga ministri përgjegjës për shëndetësinë. Masat e sigurisë do të përfshijnë kontrollin e hyrje-daljeve, videovëzhgimin në ambientet e përbashkëta, protokollet për pranimin dhe transferimin e pacientëve, si dhe procedurat për menaxhimin e situatave urgjente. Zbatimi i tyre do të mbështetet në parimin e sigurisë minimale të nevojshme, duke ruajtur ekuilibrin mes kujdesit terapeutik dhe sigurisë publike.
Sipas vendimit, masat e sigurisë nuk mund të përdoren si mjet ndëshkimi, ndërsa çdo masë duhet të jetë proporcionale me rrezikun e vlerësuar dhe të dokumentohet në dosjen e pacientit. Gjithashtu, gjatë transferimit jashtë institucionit për shërbime shëndetësore ose pjesëmarrje në seanca gjyqësore, siguria do të garantohet nga Policia e Burgjeve, në bashkëpunim me personelin mjekësor. Për zbatimin e vendimit do të bashkëpunojnë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera publike sipas kompetencave përkatëse. Institucionet mjekësore të posaçme do të financohen nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?
Results
Vota totale: 10092

