Vendimi nga Këshilli i Ministrave/ Standarde të reja të sinjalistikës dhe simboleve në pikat e kalimit kufitar
Këshilli i Ministrave miratoi ditën e sotme vendimin “Për përcaktimin e tabelave dhe simboleve në pikat e kalimit kufitar dhe zonat e verifikimit kufitar”, në zbatim të legjislacionit të ri për kontrollin e kufirit shtetëror. Vendimi përcakton standardet e reja të sinjalistikës në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qëllim unifikimin e tabelave dhe rritjen e qartësisë për qytetarët dhe udhëtarët, në gjuhët shqip dhe anglisht.
Sipas vendimit, zonat e verifikimit kufitar do të shënohen me tabela të posaçme në hyrje të porteve dhe aeroporteve, si dhe në rrugët që të çojnë drejt pikave tokësore të kalimit kufitar, në përputhje me përcaktimet ligjore për fillimin e këtyre zonave. Në vendim thuhet se pikat e kalimit kufitar do të pajisen me tabela standarde identifikuese, ndërsa në rastet e pikave me orar të kufizuar do të vendosen tabela shtesë që pasqyrojnë orarin zyrtar të funksionimit.
Sipas vendimit, në aeroportet dhe portet detare do të shënohen edhe zonat e tranzitit, ndërsa hyrja dhe dalja nga territori i Republikës së Shqipërisë në pikat kufitare do të identifikohet me tabela të veçanta standarde. Një vëmendje e veçantë i kushtohet organizimit të korsive të kalimit, ku parashikohen korsi të dedikuara për kategori të ndryshme udhëtarësh, përfshirë persona që i nënshtrohen verifikimit minimal, të huajt që nuk kanë nevojë për vizë apo që posedojnë leje qëndrimi ose vizë afatgjatë, si dhe kategori të tjera të udhëtarëve.
Në pikat portuale dhe tokësore mund të përcaktohen korsi të veçanta për autovetura, kamionë dhe autobusë, në varësi të nevojave operacionale. Kështu shfuqizohet akti i mëparshëm normativ nr. 729, datë 20.10.2016, duke sjellë një standard të ri të unifikuar në menaxhimin e sinjalistikës kufitare. Ngarkohen për zbatimin e vendimit operatorët e aeroporteve, autoritetet portuale, Autoriteti Rrugor Shqiptar, si dhe Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KOHA JONË SONDAZH

