Vendimi për heqjen e depozitave, qytetarët në Tiranë: Bashkia të na sigurojë ujë pa ndërprerje 24 orë
Depozitat metalike të ujit mbi pallatet e ndërtuara para viteve 90’ janë tashmë një imazh i parë rëndom nga të gjithë në 30-vjeçarin e fundit. Këto depozita simbolizojnë sfidat e familjeve shqiptare për t’u furnizuar me ujë.
Mijëra depozita uji mbretërojnë në kaos në soletat e tarracave dhe mbajnë 500 deri në 1 mije litra ujë. Kjo ngarkesë, gjatë lëkundjeve sizmike, rritet ndjeshëm dhe dobëson forcën e soletës dhe betonit, duke vënë në rrezik jetët njerëzore. Madje, rrjedhja e ujit prej tyre dobëson betonin dhe e bën tarracën të pasigurt. Aq me tepër kur këto depozita vendosen në të njëjtin vend.
Por duket se situata do të ndryshojë.
Pas vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës për të hequr depozitat e ujit nga tarracat e pallateve, qytetarët bien dakord për vendimin e marrë, por ata tundin kokën me zhgënjim kur thonë se bashkia duhet t’u sigurojë fillimisht 24 orë ujë pa ndërprerje.
Por, jo të gjithë qytetarët që u pyetën nga mikrofoni i “News24”, ishin informuar për këtë vendim.
Disa shprehen se menaxhimi i situatës nuk do të jetë i lehtë, kjo sepse në komunitet nuk para gjendet bashkëpunimi dhe jo të gjithë janë të gatshëm të paguajnë për depozitën e përbashkët, të tjerë ankohen se nuk ka hapësira pasi hyrjet e pallateve janë zaptuar nga lokalet dhe dyqanet.
Bashkia e Tiranës ka vendosur që administratori i pallatit është përgjegjës për administrimin dhe sigurinë e depozitave të përbashkëta, por në disa pallate administratori mungon.
Pas tërmetit të 26 nëntorit, shumë prej tarracave të pallateve të vjetra në kryeqytet pësuan dëmtime dhe pesha e rëndë depozitave të ujit është vlerësuar si rrezik për sigurinë e jetës së banorëve.
Në rastet kur pallatet nuk kanë dëmtime strukturore nga tërmeti, heqja e depozitave të ujit është caktuar të jetë detyrë e vetë banorëve dhe e administratorit të pallatit.
Vendimi parashikon që administratorët e pallateve në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera të Bashkisë së Tiranës, jo më vonë se data 30 janar 2020, të identifikojnë vendet e përshtatshme për vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit.
Specialistët thonë se ruajtja e ujit nëpër depozita rrezikon shëndetin e banorëve, pasi ekspozimi i tyre në diell dhe mungesa e shërbimeve periodike, siç është pastrimi, bën që uji të kontaminohet, duke vënë në rrezik shëndetin e banorëve. Zgjidhja e këtij problemi për kryeqytetasit do të ishte jo vendosja depozita të përbashkëta, por furnizimi 24 orë me ujë. Por kjo ditë duket sot ende e largët. /BW