Venezuela arreston shtetas spanjollë, amerikanë dhe çekë, duke i akuzuar për “destabilizim”

Venezuela arrestoi dy spanjollë, tre amerikanë dhe një çek duke i akuzuar për lidhje me plane për të destabilizuar vendin e Amerikës së Jugut, tha të shtunën një zyrtar i lartë i Venezuelës.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA tha se “një pjesëtar i ushtrisë amerikane” ishte arrestuar në Venezuelë dhe se Shtetet e Bashkuara janë në dijeni të njoftimeve të pakonfirmuara se ishin arrestuar edhe dy shtetas të tjerë amerikanë, por hodhi poshtë një pretendim të Venezuelës për përfshirjen e SHBA-së në ndonjë komplot për të përmbysur qeverinë.

Njoftimi i Venezuelës ka të ngjarë të thellojë tensionet ekzistuese të vendit me Spanjën dhe Shtetet e Bashkuara pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të Venezuelës në korrik.

Ministri i Brendshëm i Venezuelës, Diosdado Cabello, në një konferencë për shtyp tha se dy spanjollët dyshohet se ishin të lidhur me shërbimin sekret spanjoll dhe planifikonin vrasjen e një kryetari bashkie. Ministria e Jashtme spanjolle e mohoi këtë pretendim.

Ministri Cabello akuzoi gjithashtu tre shtetas amerikanë dhe një çek për përfshirje në akte terroriste, përfshirë planet për të vrarë Presidentin Nicolas Maduro dhe zyrtarë të tjerë.

Departamenti i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuata nuk janë të përfshira në asnjë përpjekje për të rrëzuar presidentin e majtë të Venezuelës.

“Çdo pretendim për përfshirjen e SHBA në një komplot për të përmbysur Maduron është kategorikisht i rremë,” tha zëdhënësi. “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin një zgjidhje demokratike të krizës politike në Venezuelë.”

“Ne po kërkojmë informacion shtesë. Po monitorojmë nga afër situatën,” shtoi zyrtari, duke mos pranuar të japë detaje shtesë për shkak të konsideratave të privatësisë.

Një burim i ministrisë së jashtme spanjolle i tha agencisë Reuters se po i kërkonte Venezuelës më shumë informacion.

“Ambasada spanjolle i ka dërguar një notë verbale qeverisë së Venezuelës duke kërkuar qasje tek qytetarët e arrestuar për të verifikuar identitetin dhe kombësinë e tyre dhe për të ditur se për çfarë akuzohen saktësisht”, tha burimi, duke folur me kushtin e anonimitetit.

Shtetasit spanjollë u arrestuan ndërsa bënin fotografi në qytetin e Puerto Ayacuchos, tha Ministri Cabello. “Këta qytetarë kanë lidhje – ne e dimë se do të thonë jo, se kjo është një gënjeshtër – por ata kanë lidhje me qendrën,” tha ai, duke iu referuar zbulimit spanjoll. “Spanja duhet të vendosë se çfarë do të bëjë, nëse do të vazhdojë të përzihet në punët e Venezuelës.”

Venezuela thirri ambasadorin e saj në Spanjë këtë javë për konsultime dhe thirri ambasadorin spanjoll për t’u paraqitur në Ministrinë e Jashtme pasi një ministër spanjoll akuzoi Maduron për sundim “diktatorial”.Këto zhvillime kanë përshkallëzuar tensionet diplomatike pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale.

Venezuela shprehu gjithashtu pakënaqësinë me vendimin e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez për t’u takuar me kandidatin e opozitës venezueliane Edmundo Gonzalez Urrutia, i cili shkoi në mërgim në Spanjë javën e kaluar duke marrë azil politk, pasi u kërcënua me arrest nga regjimi i Maduros.

Karakasi gjithashtu ka pasur tensione me Shtetet e Bashkuara, të cilat njohën kandidatin e opozitës Gonzalez Urrutia si fitues të zgjedhjeve të 28 korrikut.

Zëri i Amerikës

SHKARKO APP