
Reshjet intensive të shiut dhe erërat e forta kanë sjellë probleme në veri të vendit, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, rënie gurësh në rrugë dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Situata më problematike paraqitet në qarkun e Kukësit, ku disa njësi administrative dhe lagje në Kukës, Has dhe Tropojë kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike.
Përveç ndërprerjeve të energjisë, reshjet kanë shkaktuar edhe rrëshqitje inertesh dhe rënie gurësh në disa akse rrugore kombëtare. Në Tropojë, problematika janë evidentuar në segmentin Margegaj–Valbonë, ku gurët e rënë në rrugë kanë krijuar vështirësi për drejtuesit e mjeteve.
Situatë e vështirë është regjistruar edhe në zonën e Thethit, në Shkodër. Si pasojë e reshjeve, përroi ka dalë nga shtrati, duke bllokuar aksin rrugor Theth–Ndërlysaj dhe duke penguar lëvizjen e automjeteve. Deri më tani nuk raportohet për banesa të rrezikuara nga vërshimi i ujërave. Autoritetet po punojnë për largimin e materialeve të grumbulluara në rrugë dhe normalizimin sa më të shpejtë të qarkullimit.
Parashikimet meteorologjike nuk janë optimiste për ditët në vijim. Gjatë fundjavës priten reshje të herëpashershme dhe shtrëngata, veçanërisht në zonat veriore të Shqipërisë. Moti i paqëndrueshëm pritet të përfshijë edhe pjesën tjetër të territorit, ndërsa temperaturat do të luhaten nga 8 deri në 23 gradë Celsius.
