
Lëvizja Vetëvendosje, nuk dorëzohet edhe pse më 25 prill nuk siguroi asnjë mandat, por do të vazhdojë të jetë aktive në Shqipëri, duke marrë pjesë edhe në betejat e tjera elektorale. Paralajmërimin e ka bërë kreu i VV-së në Tiranë, Boiken Abazi, i cili ishte edhe kandidat për deputet.
“Ajo që më ka prekur më shumë në këtë fushatë është varfëria e madhe e shumë qytetarëve që kemi takuar. Pasi pashë rezultatet e disa qendrave të votimit kuptova që shumë prej tyre edhe na kishin votuar. Nuk i kishim premtuar as pare as vende pune.
Ata, megjithatë, kishin lexuar programin e na kishin votuar, duke sfiduar pamundësinë e duke hedhur poshtë idenë se njeriu nuk e ruan dinjitetin në varfëri. Besimin e tyre tek ne nuk do ta nëpërkëmbim.
Do kthehemi e do t’i takojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur e shumë të tjerë akoma, sepse Lëvizja tashmë është bërë e njohur, e dashur dhe e domosdoshme për gjithë Shqipërinë”, shprehet Abazi.
