Veton Surroi letër të hapur Kryeministrit Rama për Laguna “Blu” e fijet Berishës

 

 

Nga Veton Surroi.

1.

I nderuari zotni Kryeministër…

Kështu disi befasishëm fillon kjo letër. Befasishëm edhe për mua sepse nuk i kam shkruar ndonjëherë ndonjë kryeministri. Befasishëm , sepse në rastin tënd, nuk të jam adresuar me “kryeministër”; të njoh gati një çerek shekulli dhe me gjithë ngritje-uljet që kanë marrëdhëniet njerëzore, posaçërisht të njerëzve që merren me çështje publike ndër shqiptarë e vlerësoj për të mirë këtë njohësi. Pra kam afërsi të mjaftueshme personale që të të mos adresoj me titullin tënd zyrtar, por me emër.

Megjithatë, adresimi me titullin tënd zyrtar tashmë ka filluar dhe bëhet qëllimisht ngase , ja edhe befasia e radhës, po të shkruaj për një çështje që me siguri në listën e halleve që ka i pari i Qeverisë së Shqipërisë, duhet të zë skutat e vendeve të fundit. Fjala është për Lagunën Blu tashmë të famshme dhe për përpjekjen e qytetarit Aleksandër Frangaj të ndërtojë shtëpi (një a më shumë) në vendin ku deri para sa ditësh ishin fushat sportive të këtij fshati turistik . Si një fshatar i Qerretit, veprimi i qytetarit Frangaj nuk kishte si të mos më bezdiste ; qytetari Frangaj kishte hyrë në fshat jashtë mirësjelljes bazike, as kishte thënë “mirëmëngjes”, as kishte pyetur për shëndet – kishin hyrë fadromat e tij dhe njerëz të armatosur (ishin me uniforma, për më keq , me uniforma të shtetit).

Dhe kur kishte hyrë në fshat kjo përfaqësi e qytetarit Frangaj kishte deklaruar me një pano reklamuese ndërtimi se fushat sportive që deri në atë moment ishin e mira e përbashkët, tash e tutje do të ishin e mira e tij (dhe e një qytetari tjetër , ortak).

2.

Disi nuk jemi mësuar që kultura e fshatit dhe e të mirës së përbashkët të vihen në një fjali. Fshatari ynë, disi, nuk identifikohet me të mirën e përbashkët. Mëngjesi i hershëm do të mund të zbulojë dy veprime të barasvlershme në fshatrat tona: momentin kur pastrohen oborr e shtëpi dhe momentin kur plehu i shtëpisë -lëvoret e shalqirit , ambalazhet e kartonit dhe plastikës, shishet e qelqit, ndonjë copë tulle me llaç a dërrase me gjithë gozhda të ndryshkura nga rindërtimi që i bëhet njërës dhomë-hidhet në kanalin e ujitjes . Kur nuk është kanali i ujitjes, janë përroi , lumi, deti.

Në gazetat tona jemi mësuar të lexojmë për pushkën e shkrepur dhe sopatën e ngritur -që të dyja me fund vdekjeprurës- për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kufirit të arës, livadhit e kullosës. Fshatari ynë është i gatshëm të shkojë deri në fund për të mbrojtur atë që e konsideron si pronë private, apo pretendon se është e tillë, por të njëjtën gjë nuk është dëgjuar ta ketë bërë kur është fjala për oborrin e shkollës , shtëpinë e kulturës, përroin , lumin e detin. Ato që janë të mira të përbashkëta janë të “atyre”, e ajo që është imja, është imja. Ajo që është e “atyre” duhet të mbrohet nga “ata”.

Këtë të diel në fshatin tonë ndodhi një ngjarje që mund të ketë simbolikë që shkon tej kufijve të tij. Në fshatin tonë u mblodhën shumë prej banorëve të tij për të protestuar jo pse u ishte prekur prona e tyre personale , ajo që tashmë është hipotekuar , e tatueshme ,e shndërruar në vlerë që siç kemi lexuar ti dhe unë tek “Mistery of Capital” të Hernando de Sotos kalon prej informalitetit (kapitalit të vdekur) në kapital zhvillimor.

Tashmë, kur kishin kaluar kufirin e informalitetit (një gjendje që për vite ishte shndërruar gati në tipar kombëtar) , bashkëfshatarët e mi dolën për të protestuar për fushat e sportit, për të mirën e përbashkët. Nuk e konsideruan pronën e përbashkët si “të atyre “, por të veten, të përbashkësisë. Ashtu siç e kishin rregulluar e pastruar vet gjatë këtij dhe viteve të mëhershme, ashtu kishin dalë për ta mbrojtur ditën e fundit të këtij tetori. Në atë moment ishin shndërruar në komunitet, duke ndërlidhur etimologjinë e fjalës së vjetër latinishte për bashkësinë. Komuniteti është ndërtuar si kujdestar i përbashkësisë.

3.

Për një kryeministër socialist , për më tepër për një njeri që ka kënaqësinë e gjurmimit intelektual me kuriozitetin e lindur siç është rasti yt, akti i të dielës së kaluar më duket se është mjaft sfidues.

Tabloja e thjeshtësuar është kjo: në njërën anë është një komunitet i cili përpiqet ta mbrojë të mirën e përbashkët dhe nga ana tjetër është një individ i cili e konsideron të mirën e përbashkët pronë private.

Këto dy interpretime të së mirës së përbashkët janë në ndeshje dhe që të dy interpretimet kërkojnë ndihmë nga shteti.

I pari që e kërkoi këtë ndihmë ishte qytetari Frangaj. Ai bëri një kontratë me një person privat për ta blerë tokën shtetërore. Në vende të tjera me sisteme ligjore më stabile, shitja e tokës shtetërore nga ana e një personi privat mund të quhej në rastin më të butë mashtrim (i denjë për barsoleta, sikur rasti në vitet shtatëdhjetë kur mashtruesit në New York ua shisnin turistëve japonezë Urën e Bruklinit) e në rastin më të rëndë sulm ndaj pasurisë kombëtare. Në sistemin juridik të Shqipërisë, qytetari Frangaj arriti që këtë kontratë ta shndërrojë në akt juridik të vlefshëm për instancat e Shtetit që merren me rregullimin hapësinor, regjistrimin e pronave , dhënien e lejeve të ndërtimit. Në fund edhe për policinë e shtetit , me të cilën , hynë fadromat , pa mirëmëngjes e pyetje për shëndetin.

Tash , prej këtij shteti kërkon ndihmë komuniteti i Lagunës Blu. Janë thelbësisht dy gjëra që i kërkon ky komunitet nga shteti. Së pari të definojë , me forcën e institucioneve të veta të arbitrazhit , natyrën e fushave sportive si e mirë e përbashkët , e ndërtuar mbi tokë shtetërore. Së dyti, dhe rrjedhimisht, që të kthejë në formë inverse tërë zinxhirin e veprimeve të qytetarit Frangaj, që filmi të cilin e prodhoi në këto vite të fundit të kthehet mbrapshtë, prej momentit kur hynë fadromat me policë të shtetit pa mirëmëngjes e pyetje për shëndetin deri te kontrata mes tij dhe një personi privat që arriti të shesë tokë të shtetit si të ishte e tija.

4.

Një kryeministër,çfarëdo partie a ideologjie t[ i përkasë, në një demokraci të ndërtuar mbi sundimin e ligjit , do të identifikonte lehtë, me ndihmën e institucioneve të shtetit burimin e mosmarrëveshjes, në ishte toka mbi të cilën u ndërtuan fushat sportive tokë shtetërore dhe nëse po , cila është instanca juridike e autorizuar për ta shitur atë tokë shtetërore?

Një kryeministër socialist në konfliktin ku një komunitet mbron interesin e përbashkët , komunitarizmin pra, përballë një individi që mbron interesin e vet personal për nga instinkti do të anojë, së paku në interesimin fillestar drejt komunitetit që mbron të mirën e përbashkët.

I pritshëm do të ishte që reagimi yt, pra, të ishte më i ngritur se një shpjegim komunikate shtypi se veprimet e qytetarit Frangaj burojnë nga vendimet e qeverisë paraprake, të kryeministrit Berisha. Një kryeministri , i çfarëdo ngjyre politike, do t[i përkiste të thoshte se do të hulumtojë në është e drejtë që të ndërtohet një shtëpi mbi një truall për të cilin një grup banorësh thonë se është publik, pra, edhe në këtë rast po sundon ligji. Një kryeministri socialist, për më tepër, që ka ardhur në pushtet duke u prezentuar si alternativë ndaj qeverisë paraprake, i përket të thotë se nuk do të pranojë vendimet që mund të jenë të paligjshme , të qeverisë paraprake, dhe se kjo do të ndodhë edhe në rastin Laguna Blu, në të vërtetohet se komuniteti protestues ka të drejtë.

Nuk di a e ke menduar apo jo, por hapi tjetër logjik i komunikatës tënde të shtypit është se meqë veprimet e qytetarit Frangaj burojnë nga vendimet e qeverisë paraprake , dhe rrjedhimisht janë të zbatueshme sot, atëherë në një formë ende qenka (me një fuqi ekzekutive) qeveria paraprake.

Mungesa e reagimit tënd të mëtejmë mund të interpretohet me arsyetimin objektiv se në listën e gjatë të gjërave që i ka mbi tavolinë kryeministri i Shqipërisë ndërtimi i një shtëpie mbi një fushë basketbolli mund të mbërrijë , në rastin më të mirë, në vëmendjen e tij për t[ia deleguar dikujt që do t[ia delegojë dikujt tjetër për ta marrë në telefon dikë nga pushteti lokal e për ta bërë pyetjen e nevojshme formale-joformale “E, mo burrë, ça bohet anej me atë fushë basketbolli a volejbolli a çkado që është?”

Por, mund të interpretohet edhe si heshtje sepse nuk bëhet fjalë për një fshat të rëndomtë. Komuniteti i cili po përpiqet ta mbrojë të mirën e përbashkët është i përbërë edhe nga njerëz që njihen në opinion publik -sipërmarrës, politikanë, gazetarë, artistë. Dhe ai i cili është i antagonizuar me këtë komunitet është pronar i një shtëpie mediale që njihet si organ agjitpropi për qeverinë në pushtet, cilado të jetë ajo.

5.

Lehtësia me të cilën mund të relativizohet ky konflikt është e madhe, dhe nuk është se mungojnë përpjekje mediale për ta bërë këtë.

Nuk mungon kush të thotë se të gjithë aty në fshat janë të njëjtë-dikush nuk paguan mirëmbajtjen , dikush ka shtuar ballkonin, dikush e përdor këtë çështje për të diskredituar qeverinë , e ” ato janë të gjitha të njëjta sepse ja, Frangaj po ndërton me leje të Berishës në pushtetin e Ramës”.

Është lehtë e ndërtuar skema mediale me të cilën nuk është i mirë Frangaj, por hiç më të mirë nuk janë as ata që e kritikojnë. E vënë në këso skene mediale, asnjëri prej konflikteve të sotme sociale nuk do të zgjidhet në Shqipëri apo kudo tjetër, sepse për të pasur të drejtë duhet të kualifikohesh si i shenjtë , me vërtetim e vulë Papale- e nuk jam i sigurt se edhe moraliteti i Nënës Terezë do të ishte i mjaftueshëm për këtë punë.

Lehtësia e relativizimit , megjithatë , nuk do ta zgjidhë thelbin që e nxjerr konflikti i Lagunës Blu. E thelbi është se sistemi juridik i Shqipërisë , në zinxhirin e vet të pandërprerë prej momentit kur nënshkruhet një kontratë me një person privat për blerje toke shtetërore e deri te momenti kur thyhen dyert e fshatit me ndihmën e policisë së shtetit, mund të vihet në interes të një personi e në dëm të përbashkësisë.

Ky është mikrokozmi negativ i Shqipërisë dhe së paku dy efekte të mëdha krijohen për Shqipërinë nga ky perceptim i fshatit Qerret.

I pari është për qytetarët e Shqipërisë . Nëse ekziston kontinuitet në forcën arbitrare të qytetarit Frangaj për të vënë në dispozicion të vetin instrumentet e shtetit, pa marrë parasysh se ndërrohen qeveritë , atëherë pushteti politik nuk ndërrohesh me votë. Atëherë qeveritë tona shndërrohen në kujdestar të interesave të veçanta të qytetarëve të veçantë. Për një kryeministër si ti, që ka marrë përkrahje plebishitare për një ide bazike, atë të ndryshimit duke i ndërtuar institucionet e shtetit, duke e nxjerr një shoqëri prej informalitetit, një konstatim i këtillë është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me identitetin tënd politik.

I dyti është për botën (politike, ekonomike, ushtarake) që e vëzhgon Shqipërinë. Nëse një sistem juridik i përshtatet “shitësve të urës së Bruklinit” , gjegjësisht , nëse Shqipëria vendos standarde juridike në varësi prej personit , atëherë kjo tregon për një paqëndrueshmëri të madhe juridike, rrjedhimisht për mungesë sigurie investimi. Dhe ajo që është e vlefshme për investitorin e huaj është më se e vlefshme edhe për atë vendor: në garën mes një sistemi formal juridik që legalizon ura të Bruklinit dhe një sistemi informal ku nëpërmjet ryshfetit në ekzekutiv (të integruar si shpenzim në kontabilitet) hapet dyert e të gjitha vendimeve nuk ekziston avantazh a disavantazh moraliteti.

6.

Laguna Blu është një betejë që as do të ikën vetvetiu e as ,besoj , e ke luksin ta humbasësh.

Nuk do të ikën jo vetëm pse ekziston një sasi e madhe e energjisë negative, kolektive , drejtuar traditës së të bërit të gjërave nga ana e qytetarit Frangaj. Më shumë se kaq, nuk do të ikën sepse akti i shndërrimit të atomizimit tradicional të shqiptarëve në gjendje komuniteti , akti i mbrojtjes të së mirës së përbashkët është akt emancipimi kolektiv. Është akti ku komuniteti nuk toleron më arbitraritetin individual, atë që rëndom zbatohet me dhunë. Në ndarjen e madhe historike, ky mund të quhej akti i formësimit të shoqërisë moderne prej asaj paramoderne , feudale.

Nuk e ke mundësinë të qëndrosh anash dhe të shpresosh se ky problem do të shkojë vetvetiu. Ky problem kërkon zgjidhje dhe zgjidhja do të testojë, apo ritestojë , kredencialet tua , bindjet tua politike , qëndrueshmërinë e bindjeve , qëndrueshmërinë e veprimeve. Dhe, nuk ekziston zgjidhja salomonike; këtu të dy palët nuk mund të kenë të drejtë. O do të mbrohet e drejta e qytetarit Frangaj të ndërtojë mbi të mirën e përbashkët o do të mbrohet e drejta që komuniteti të ketë të mira të përbashkëta. Rrjedhimisht, o do të mbrohet veprimi zinxhiror i shtetit të kapur o do të këputet ky zinxhir e të kthehet mbrapshtë tek origjina.

Kur u takuam në një ekspozitë para disa ditësh , u interesove në vij shpesh në Shqipëri, dhe të thash se po , se shkoj shpesh në fshatin tim ,në Qerretit.

-Tek Laguna Blu, komentoi një person mik, i pranishëm aty.

-Po, thash. Tamam aty ku po ndërtoni.

Nuk ishte shkarje frojdiane. Nuk është se mendova që “po ndërtoni” në shumës, duke të përfshirë ty. As fillova të flas me “ju”, dhe të them “po ndërtoni”.

Qe një lloj paralajmërimi , në formë gjysmëshakaje, për ty. Sa më shumë kohë të kalojë pa ndërhyrjen tënde , apo edhe më keq, sa më kohë të kalojë me heshtjen tënde për veprimet e qytetarit Frangaj, aq më shumë do të piqet bindja se aty po ndërtoni, qytetari Frangaj me të drejtën e zaptuar dhe shteti në krye të cilit je ti me përkrahjen për zaptim të së drejtës.

Me nderime,

Veton Surroi

fshatar i Qerretit

(p.s. Këtë letër vendosa ta bëj publike në dy mediume që , kam bindjen profesionale me njohuritë e mia sipërfaqësore , në këtë rast kanë demonstruar qartazi se nuk janë të kapura nga kokteji i interesave politike e komerciale, jo rrallë kriminale, që e kanë ngulfatur fjalën e lirë në Shqipëri duke e topitur, relativizuar, banalizuar dhe në fund shporrur në mërgim të brendshëm, duke i bërë njërin prej sulmeve më të mëdha demokracisë në Shqipëri prej asaj dite kur Enver Hoxha, vendosi që është më mirë për vendin që atë ta udhëheqë një parti, mundësisht me një mendim të vetmin, të tijin)

 

SHKARKO APP