Vetting-u në Polici, kalon në “skaner” Eduart Merkaj
Në sitën e Vetting-ut në Policinë e Shtetit, rradhën për tu skanuar e ka Eduart Merkaj. Drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, doli sot përpara Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit ku u njoh me rezultatet e hetimit të bërë për të që prej muajit qershor 2019 bazuar në 3 komponentët e vlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Trupa e vlerësimit e përbërë nga Sonila Kadarej, Luljeta Qoku dhe Ledian Rusta konstatuan dhe deklaruan se nga hetimi administrativ i drejtorit të departamentit të Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj rezulton pa problem në të tre komponentët e vlerësimit. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit do të mblidhet sërish të hënën më 13 janar, për të vendosur për rikonfirmimin ose jo në detyrë për drejtorin e Kufirit dhe Migracionit. Merkaj është pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit që prej vitit 2007 teksa ka mbajtur disa poste të rëndësishme, ndërsa prej janarit të vitit 2019 drejton Departamentin e Kufirit dhe Migracionit.