Vëzhguesit vendorë: Zgjedhjet, KQZ-ja të marrë masa për partitë

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë e cilëson të paligjshme fushatën elektorale të bërë nga kandidatët e partitë politike për zgjedhjet e 21 qershorit para afatit të përcaktuar sipas Kodit Zgjedhor. Duke përshëndetur vendimin KQZ për të vendosur sanksione për partitë politike që shkelin ligjin duke bërë fushatë elektorale para datës 22 maj, KVV ka theksuar se duhet të ndëshkohen edhe mediat që transmetojnë fushatë. “Pavarësisht se kandidatët nuk ishin ende të zyrtarizuar, fushata e bërë prej tyre ishte e paligjshme jo vetëm për faktin e zhvillimit të parakohshëm të saj, por edhe të elementëve të tjerë (si mbështetja prej zyrtarëve të lartë të qeverisë, të bashkive apo edhe të deputetëve të kuvendit; transmetimi i tyre në disa media në mënyrë të plotë dhe “live” nëpërmjet përdorimit të regjive televizive si dhe logjistika dhe burimet e përdorura, të cilat ndër të tjera duhet të kihen parasysh prej auditëve dhe KQZ­së në raportet vjetore financiare që do të paraqesin partitë respektive; etj), elementë këto që në total shkelin hapur dhe rëndë barazinë e garës elektorale.

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë përgëzon dhe mbështet fort Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me deklarimin e bërë publik dje se KQZ angazhohet të ushtrojë në mënyrë të plotë kompetencat që i jep ligji, duke marrë masa ndaj subjekteve elektorale, nëse ato do të kryejnë fushatë elektorale përpara datës së fillimit zyrtar të saj, si edhe ndaj mediave nëse ato do të transmetojnë këto fushata përpara datës 22 maj, kur edhe fillon zyrtarisht periudha e fushatës elektorale. Koalicioni iu bën thirrje partive politike të respektojnë rigorozisht afatin e përcaktuar në Kodin Zgjedhor për kryerjen e fushatës elektorale prej datës 22 Maj deri më datën 19 Qershor 2015.”, thuhet në njoftimin e KVV. Duke iu kërkuar partive politike që të respektojnë Kodin Zgjedhor, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë thekson se “të gjithë kandidatët të cilët mbajnë poste apo janë nëpunës civil dhe kandidojnë për kryetar bashkie apo anëtarë të këshillave bashkiakë, të japin dorëheqjen nga postet e tyre ose së paku të kërkojnë pezullimin nga detyra që mbajnë”. Ndërkaq, KVV ka përshëndetur edhe vendimin e kryeministrit Rama drejtuar institucioneve, që të mos përdoren “fonde publike për fushatën dhe zgjedhjet lokale”. 

SHKARKO APP