Vickers: Brexit mund të shkatërrojë Britaninë, por dhe BE-në

Historiania e njohur Miranda Vickers, e njohur nga publiku shqiptar për trajtimin e çështjeve ballkanike dhe shqiptare, thotë se ka votuar pro daljes së Britanisë nga BE.

Ajo shkruan për gazetën Dita, se dalja e Britanisë nga BE rrezikon jo vetëm të shpërbëjë Britaninë e Madhe, por edhe BE-në.

“Unë personalisht jam e kënaqur me rezultatin, por natyrisht që shumë njerëz nuk janë. Kjo do të ketë pasoja shumë të rënda si për Mbretërinë e Bashkuar dhe për Europën. Sepse kjo mund të thotë shpërbërje e Mbretërisë së Bashkuar, për shkak se Skocia do të ketë një referendum për të shpallur pavarësinë e saj nga Britania, ndërsa ne të gjithë e dimë që përfundimisht skocezët do të votonin për ta lënë Mbretërinë e Bashkuar, sapo të marrin dritën jeshile se mund të rinegociojnë anëtarësinë e Skocisë në BE jashtë Britanisë së Madhe, dhe të sigurohen se çmimet e naftës do përmirësohen për ta.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjithashtu, dalja e Britanisë mund të nënkuptojë eventualisht edhe fundin e Bashkimit Evropian, nëse vendet e tjera si Holanda dhe Suedia bëjnë gjithashtu referendume për të lënë BE-në. Ka gjithashtu një pakënaqësi të madhe midis shumë vendeve të BE-së, duke përfshirë këtu Italinë dhe Francën, që lidhet me qëllimin e BE-së për zgjerim më të madh për të përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Por, mbi të gjitha, ne jemi të gjithë shumë kundër idesë së Turqisë për t’u bashkuar me BE-në, e cila do të ishte një katastrofë. BE-ja është një institucion shumë jodemokratik, që qeveriset nga zyrtarët e pazgjedhur që bëjnë ligjet në emrin tonë, të cilat janë kryesisht në interes të BE-së dhe jo të vendeve të veçanta.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në Angli ne kemi tani më shumë se 2 milionë emigrantë të Europës Lindore dhe ata janë të gatshëm të punojnë për rroga shumë të ulëta, duke dëmtuar punëtorët britanikë dhe ata janë kryesisht të rinj që kanë fëmijë dhe ata kanë mbushur shkollat tona duke e bërë gjendjen e tyre kritike. Mikesha ime më e mirë është një mësuese e shkollës fillore dhe dhjetë vjet më parë ajo kishte një klasë me 24 nxënës, ndërsa tani ajo ka 36, shumica e të cilëve nuk e flasin gjuhën angleze si gjuhë të parë. Këta emigrantë kanë rritur trysninë e tyre në shërbimet tona të strehimit, spitalet, dentistët dhe shërbime të tjera sociale. Kjo është arsyeja pse kemi dashur dhe t’i jepet fund lëvizjes së lirë të njerëzve brenda BE-së, por, kur David Cameron shkoi në Bruksel për të kërkuar ndalimin e lëvizjes së lirë, ata refuzuan.

Këto janë disa nga arsyet pse populli britanik votoi të largohet nga BE-ja. Unë e di se Shqipëria dëshiron shumë të bashkohet me BE dhe nëse BE-ja i mbijeton daljes së Britanisë dhe ndoshta të vendeve të tjera, atëherë mund të ketë një të ardhme për Shqipërinë në BE . Megjithatë do të duhet të shohim se si gjërat të zhvillohet në muajt e ardhshëm”, thotë Vickers.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?