VIDEO/ Ditmir Bushati në Public Square: Hungaria pas Orbán-it
Ditmir Bushati diskuton në “Public Square” me politologen hungareze Zsuzsanna Szelényi. Biseda u përqendrua tek ndryshimet politike në Hungari pas humbjes së Viktor Orbán dhe sfidat për rikthimin e demokracisë në vend.
Në fokus të bisedës ishte analiza e modelit politik të Viktor Orbán gjatë 16 viteve në pushtet, të cilin Szelényi e cilësoi si një proces të “autokratizimit masiv”, të shoqëruar me përqendrimin e pushtetit, dobësimin e kontrollit institucional dhe rritjen e korrupsionit partizan. Ajo theksoi se kriza ekonomike, pakënaqësia sociale dhe largimi i brezit të ri nga modeli jo liberal kontribuan ndjeshëm në ndryshimin politik në Hungari.
Intervista trajtoi gjithashtu ngritjen e Péter Magyar dhe partisë Tisza, të cilat fituan zgjedhjet me premtimin për rikthimin e Hungarisë në kursin europian dhe përballjen me korrupsionin e sistemit oligarkik të ndërtuar gjatë viteve të fundit. Sipas Szelényi, sfida kryesore për qeverinë e re mbetet demokratizimi real i institucioneve dhe ndërtimi i mekanizmave të rinj të kontrollit dhe balancës.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua politikës së jashtme të Hungarisë, marrëdhënieve me Bashkimin Europian dhe Ukrainën, si edhe ndikimit të mundshëm të rënies së Viktor Orbán në Ballkanin Perëndimor. Szelényi vlerësoi se qeveria e re pritet të ndjekë një qasje më pragmatike dhe më europiane, duke u distancuar nga politika e konfliktit dhe rrjeti i aleancave personale të ndërtuara nga Orbán në rajon.

KOHA JONË SONDAZH

