VIDEO/ Dule përplaset me Maznikun në dëgjesën për Reformën Territoriale, socialisti: E keni zakon shumë të keq
Dëgjesa e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale u zhvendos sot në Gjirokastër. I pranishëm në këtë takim ishte edhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili iu drejtuar bashkëkryetarit të kësaj reforme, Arbjan Mazniku, duke i thënë se nuk është dakord me dy teza të ngritura prej tij. Sipas Dules, Mazniku pretendon të shkëpusë nocionin bazë të hapësirës, dhe se sipas tij reforma territoriale nuk duhet nisur nga kufijtë. Shqetësim tjetër për Dulen ishte edhe mungesa e përfaqësimit në këshillat bashkiak të Gjirokastrës të disa ish-komunave në jug të vendit.
Pjesë nga diskutimi:
Vangjel Dule: Do doja të shprehja nja dy ide, duke u nisur me një kundërshtim kategorik të tezës së shprehur nga Zoti Mazniku, që pretendon të na shkëpusë nga nocioni bazë i hapësirës. Nuk duhet të nisemi nga kufijtë. Por asgjë nuk mund të analizohet në të ardhmen pa pasur parasysh dimension e ‘ku’. Më shqetëson një fakt, shumë thelbësor, edhe pushtetin vendor ideal të kemi në funksionin e tij, edhe administrimin e tij ta kemi të përsosur, edhe kufij ideal të kemi, nëse nuk funksionon demokracia jemi të dështuar. Ne i shmangemi demokracisë, që është përfaqësimi. Më thoni në këtë bashki që jemi sot, a përfaqësohet në këshillin bashkiak ish-komuna e Picarit, Antigonëse, Lunxhërisë? Kush do përcjellë zërin e tyre në Këshillin Bashkiak?
Arbjan Mazniku: Ky është një diskutim i parë, do të kemi mundësi të bëjmë edhe diskutime të tjera, por bashkë me bashkëdrejtuesin e Reformës menduam që të marrim mendime të qytetarëve. Zoti Dule tha që nuk mund të diskutojmë territorin pa kompetencat… Unë nuk them që nuk duhet të diskutojmë territorin pa kompetencat, por kur flasim vetëm për territorin pa kompetencat nuk shkojmë gjëkundi sepse duhet të kemi mundësi për të ofruar shërbimin. Unë ju dëgjova të gjithëve pa thënë asnjë fjali… (i referohet Vangjel Dules, i cili flet nga vendi), do them argumentin sesi e mendoj unë dhe unë fola vetëm për një shërbim që është ndërtimi i rrugëve, por po kur flasim për pastrimin? Shërbimin social? Çështja është arsyeja pse është e rëndësishme për të folur për kompetencat, për të parë a i kemi shërbimet dhe burimet financiare për këto shërbime? Ndaj them që diskutimet niset nga shërbimet.
Dule: Këto janë sofizma…
Mazniku: Të lutem se ju dëgjova… zoti Dule….
Dule: Nuk mund të abuzoni me sofizma
Mazniku: E keni zakon shumë të keq që flisni kur të tjerët flasin. Ne na duhet të kemi mundësinë që t’i ofrojmë shërbimet qytetarëve dhe të mendojmë për mënyrën sesi t’ua ofrojmë, dhe ky duhet të jetë qëllimi jonë.
Luçiano Boçi: Është e natyrshme të ketë debate dhe qëndrime të ndryshme, por pushteti lokal është përfaqësim, shërbim, autonomi financiare, demokraci dhe decentralizim, këtu duhet të përqendrohemi, pastaj pjesë tjetër e opinioneve futet në subjektivizëm.
KOHA JONË SONDAZH

