Video/ Ernejt Shyti largohet i qetë mbi biçikletë pasi ka kryer vrasjen e Behar Sofisë
Dy muaj pas vrasjes së Behar Sofisë zbulohen pamje të reja të autorit. Ernejt Shyti pasi ka kryer vrasjen merr biçikletën e fshehur poshtë urës së Lanës e më pas largohet i qetë.
Personi që ecën me biçikletë quhet Ernejt Shyti, i cili shfaqet vetëm dy minuta pas ekzekutimit me dy plumba të biznesmenit Behar Sofia, ngjarje e ndodhur paraditen e 25 shkurtit 2021 shumë pranë Piramidës.
Ora News siguron pamjet ekskluzive ku vrasësi me pagesë Ernejt Shyti, pedalon i qetë një biçikletë dhe pa u përfshirë nga paniku, e cila sot e kësaj dite nuk është arritur të gjendet nga policia kriminale e Tiranës.
Këto pamje filmike tregojnë qartë qetësinë, që ka pasur autori si para dhe pas vrasjes së Behar Sofisë, duke ecur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më tej ka dalë në kodrat e “Liqenit Artificial”, duke ndëruar rrobat dhe braktisur biçikletën.
Sipas dëshmisë së një endacaku me inicialet A.P, vrasësi para kryerjes së krimit, biçikletën e kishte fshehur poshtë urës së Lanës.
Ai ka treguar në polici se kur ndodhej poshtë urës, duke hyrë nga ana e “Tajvanit”, ka parë një person me kapuç, që ka ardhur nga krahu i Piramidës dhe befas ndaloi poshtë urës, ku mori një biçikletë që e kishte lënë aty dhe u largua.
Shyti, del në bulevardin qëndror dhe përmes punonjëve të policisë dhe nën hundën e efektivëve të Gardës së Republikës, që garantojnë sigurinë e kësaj zone qeveritare, u largua qetësisht.
Ernejt Shyti, personi që ekzekutoi Behar Sofinë me dy plumba pistolete “TT”, është shtirur si një person invalid.
Ai ka përdorur një truk, për të mos ngritur dyshime për lëvizjet e tij, dhe këtë gjë e ka kryer më së miri.
Shyti u arrestua një javë pas ngjarjes teksa shtronte pllaka në aeroportin e Malit të Zi, ku më pas është deportuar menjëherë.
Sipas dëshmisë që ai ka dhënë në polici, ofertën e parë për të kryer vrasjen e Sofisë e kishte marë nga shoku i tij, Xhuljano Visha.
Ky i fundit më pas e ka prezantuar me një person që e thërrisnin me nofkën “Daja”, që më vonë rezultoi të ishte Skënder Vathi nga Fushë Kruja.