VIDEO/ Goditi shefin e komisariatit, por nuk pati denoncim. Zbardhet çfarë ndodhi në Durrës
Më shumë detaje janë bërë publike në lidhje me përplasjen e filmuar në një prej rrugëve të Durrësit, pamje të cilat u publikuan fillimisht nga ish-deputeti Myslim Murrizi.
Personi që shfaqet në video duke goditur me shuplakë drejtuesin e motorit është identifikuar si Arjan Xheka. Ai është pronari i ish-hotelit “Mira Mare”, një prej strukturave hoteliere të dëmtuara rëndë dhe të shembura pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Durrës.
Nga të dhënat e bëra publike rezulton se incidenti nuk ka sjellë nisjen e një procedimi penal. Personi që u godit, i identifikuar nga Murrizi si Elton Shahini, shef i Komisariatit të Krujës dhe ish-drejtues i Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, nuk ka depozituar kallëzim në polici.
Në mungesë të një denoncimi, për ngjarjen nuk është regjistruar procedim penal. Përplasja është konsideruar si një konflikt i çastit mes dy personave dhe situata është mbyllur më pas mes palëve. Për momentin, ngjarja nuk ka prodhuar pasoja të mëtejshme ligjore.

