VIDEO/ Ministrja Koçiu: Dezinsektimi nis edhe në Divjakë, do të shtrihet në çdo zonë bregdetare
Në prag të sezonit turistik në të gjithë vendin po vijon procesi i dezinsektimit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga kryetari i bashkisë, inspektuan sot zonën e Divjakës, nga ku theksuan nevojën e bashkëpunimit për të siguruar një sezon turistik të suksesshëm.
“Në Parkun e mrekullueshëm të Divjakës, një prej destinacioneve të preferuara të mijëra turistëve, nisëm procesin e dezinsektimit bashkë me Josif Gorenë, kryetarin e bashkisë ku theksuam nevojën e një bashkëpunimi të ngushtë midis pushtetit qendror dhe atij vendor për të siguruar një sezon turistik të suksesshëm dhe të qetë për pushuesit vendas dhe ata të huaj”, deklaroi ministrja Koçiu.
Ministrja bëri të ditur se në çdo zonë bregdetare, lagunë dhe parqe, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të shtrijë procesin e dezinsektimit, i cili do të ketë një përsëritje në një interval kohor dy apo tre javor, bazuar në monitorimin dhe vlerësimet e specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, njësive vendore të kujdesit shëndetësor dhe Inspektoriatit Shëndetësor.