VIDEO/ Orari për nxjerrjen e mbetjeve, kryebashkiaku Ndreu thotë se qyteti është më i pastër
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka reaguar lidhur me sistemin e ri të menaxhimit të mbetjeve urbane, duke e cilësuar atë si një praktikë të suksesshme që po jep rezultate të dukshme në pastërtinë e qytetit.
Sipas Ndreut, filozofia e nxjerrjes së mbetjeve me orar të përcaktuar është duke funksionuar dhe ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm në gjendjen e pastërtisë në Lezhë dhe zonat përreth. Ai thekson se pavarësisht disa problematikave të përditshme që monitorohen nga autoritetet vendore, situata e përgjithshme është përmirësuar.
Ndreu shpjegon se në qytet është vendosur një interval orar dyorësh, nga 20:00 deri në 22:00 për nxjerrjen e mbetjeve, ndërsa në Shëngjin orari është 22:00–24:00. Pas këtyre orareve, sipas tij nis edhe procesi i pastrimit dhe evakuimit të mbetjeve.
Postimi i plotë
Filozofia jonë e nxjerrjes së mbetjeve me orar ka gjetur përkrahje masive dhe po funksionon. Sot ka një histori tjetër në pastërtinë e zonave tona. Sigurisht që nuk është gjithçka perfekte, ka probleme që i monitorojmë dhe i adresojmë çdo ditë. Por ka edhe përpjekje për të nxirë realitetin. Në qytet, për shembull, është përcaktuar një interval dyorësh, nga ora 20:00 deri në 22:00, për nxjerrjen e mbetjeve. Në Shëngjin në orën 22-24. Pastaj nis evakuimi i tyre.
Pikërisht në këtë interval është normale që në disa pika të ketë përqendrim qesesh, pasi qytetarët po respektojnë orarin e caktuar. Kjo është një filozofi që zbatohet në shumë vende të botës dhe impakti i saj në Lezhë ka qenë fantastik. Megjithatë, ka portale “madhështore” që fotografojnë këto pika pikërisht gjatë orarit të nxjerrjes së mbetjeve dhe i paraqesin me paturpësi si qytet të mbuluar nga plehrat. Kjo nuk i shërben as së vërtetës, as interesit publik.
Ne nuk ndalemi. Shumica dërrmuese e qytetarëve na mbështesin sepse e shohin ndryshimin çdo ditë. Nuk kemi ndërmend të humbim kohë me helm, shpifje dhe të pavërteta. Puna flet vetë, ndërsa llafet e kota i merr era. Përpjekja për të më etiketuar mua apo këdo tjetër nuk ndryshon asnjë fakt, Lezha është më e pastër sot se dje dhe do të jetë edhe më e pastër nesër. Ky është angazhimi ynë dhe këtë do të vazhdojmë të bëjmë.
KOHA JONË SONDAZH

