VIDEO/ Përurohet Muzeu Arkeologjik në Lezhë, 268 objekte të ekspozuara
Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve në qytetin e Lezhës u përurua sot muzeu arkeologjik, një projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian. Ky muze është vendosur pranë kalasë së qytetit dhe në ambientet e tij janë të ekspozuara objekte që nga prehistoria, deri në mesjetë, duke sjellë një pasqyrë të plotë të historisë së zonës.
Në ceremoninë e përurimit ishte i pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, drejtoresha e përgjithshme e SASPAK Eridana Çano, përfaqësuesja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri Entela Sulka, kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, etj.
Në fjalën e tij Gonxhja tha se “çelja e këtij muzeu na bën që të jemi me vërtetë shumë krenarë për veten tonë, por nga ana tjetër edhe ata që vijnë gjithmonë e më shumë të njohin identitetin tonë që është thellësisht europian në Mesdhe”. Kryetari i bashkisë Lezhës, Pjerin Ndreu theksoi se “ky muze i shtohet mozaikut të pasur të thesareve kulturore dhe atraksioneve turistike që ofron Lezha, duke i dhënë qytetit një tjetër pikë të rëndësishme referimi për vizitorët vendas dhe të huaj”.
Përgjegjësi i trashëgimisë kulturore në Lezhë, Paulin Zefi tha se “këtu janë gjithsej 268 objekte. Pjesa më e madhe e tyre i përkasin atyre që janë zbuluar nga arkeologu Frano Prendi gjatë viteve ’60-’70. Gjithashtu pjesë e muzeut janë edhe gjetjet arkeologjike gjatë ekspeditave gjermane si dhe gjetje rastësore të ndryshme”.
E veçanta e këtij muzeu është eksperienca inovative që ai ofron, përmes mundësisë për të përjetuar një vizitë virtuale në Odën e Zejtarisë në Gjakovë, duke lidhur trashëgiminë kulturore përtej kufijve dhe duke sjellë historinë më pranë turistëve e vizitorëve. Muzeu Arkeologjik i Lezhës është financuar nga Bashkimi Evropian përmes projektit ndërkufitar Shqipëri-Kosovë dhe është muzeu i dytë i hapur në qytet pas atij Etnografik, i ngritur disa vite më parë.
KOHA JONË SONDAZH

