VIDEO/ Rama në Durrës: Investimet në teknologji dhe aftësi profesionale sjellin paga më të larta dhe vende pune cilësore
Kryeministri Edi Rama vizitoi një kompleks industrial në Durrës, aty ku operojnë kompani të integruara në fushat e transportit, riciklimit dhe përpunimit industrial, duke vlerësuar se investimet në teknologji dhe zhvillim të aftësive profesionale përkthehen drejtpërdrejt në paga më të larta dhe krijim të vendeve të punës me cilësi të lartë. Në fjalën e tij, Rama theksoi se bizneset që zgjedhin të investojnë në kapacitete teknologjike dhe të trajnojnë stafin, jo vetëm që rrisin konkurrueshmërinë, por kontribuojnë në rritjen e vlerës së shtuar dhe specializimit të punonjësve.
‘‘Këto biznese tregojnë qartë drejtimin e ekonomisë: më shumë vlerë të shtuar, më shumë specializim dhe më shumë mundësi për punonjësit”,-shpreh kryeministri. Kreu i qeverisë tha se ndërmarrjet që ofrojnë paga të larta për punonjësit janë shtuar ndjeshëm në Shqipëri. Ai u zotua se qeveria do të vijojë të stimulojë rritjen e pagave duke mbështetur drejtpërdrejt ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që duan të rriten, nëpërmjet platformës ”Dyfisho ndërmarrjen tënde”.
”Arsyeja pse ne jemi këtu dhe kamerat është për ta promovuar sa të mundemi shembullin e mirë të ndërmarrjeve shqiptare si kjo ndërmarrje. Ashtu siç e pamë nga prezantimi që na bënë themeluesit e kompanisë, ka nisur me një ëndërr të madhe, por me mundësi jashtëzakonisht të kufizuara dhe hap pas hapi janë transformuar në realitete mbresëlënëse, si realiteti që sapo pamë, ku faktikisht shkohet nga mbetjet elektronike tek përpunimi i nivelit më të lartë i unazave dhe varëseve të arit. Faktikisht nxirret ar nga mbetjet që për shumë këmbë konsiderohen thjesht si mbeturina për t’u hequr qafe, ndërkohë që për këtë kompani janë si një material i një miniere prej së cilës krijohet vlerë e shtuar.
Në një kohë kur mund të rendisim shumë gjëra pozitive që kanë ndodhur si rezultat i rritjes së ekonomisë, por ndërkohë kemi bindur që ka më shumë për të bërë mundësi, për këtë arsye jemi duke përgatitur një program të posaçëm financimi për ndërmarrjet. Qëllimi është financimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por edhe për ato ndërmarrje që mund të jenë ndërmarrje të mëdha por duan të investojnë në mënyrë të veçantë në mënyrë njerëzore dhe procese sociale pune, ne do të vendosim në dispozicion një instrument të ri financimi. Do ta bëjmë shumë më të lehtë kreditimin. Do vendosim një tavan deri në 2 milion euro për ndërmarrjet që kanë në plan për t’u rritur”,-tha Rama
KOHA JONË SONDAZH

