VIDEO/ Segmenti Kthesa e Bërdicës-Ura e Bahçallëkut, ministri Karakaci: Synohet përfundimi para sezonit turistik

Punimet në segmentin rrugor Kthesa e Bërdicës-Ura e Bahçallëkut, në Shkodër po avancojnë me ritme të qëndrueshme, ndërsa autoritetet synojnë përfundimin e një pjese të rëndësishme të tij përpara sezonit turistik. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaci gjatë një inspektimi ditën e sotme në kantier, e cilësoi këtë aks si një nyjë të rëndësishme për hyrjen në qytetin e Shkodrës dhe lidhjen me rajonin. ”Ky është një segment i rëndësishëm sa i takon hyrjes në Shkodër, që fillon nga Harku i Bërdicës deri tek Ura e Bahçallëkut, duke ndërlidhur kryeqendrën e veriut, Shkodrën, por edhe duke lidhur qytetin me dy kufijtë me Malin e Zi”, u shpreh Karakaçi.

Ai theksoi se projekti përfshin zgjerimin e rrugës dhe përmirësimin e standardeve sipas kategorisë D, si dhe ndërtimin e një ure paralele për të lehtësuar qarkullimin. “Jemi duke bërë zgjerimin e kësaj rruge dhe përmirësimin e standardeve të cilësisë, si dhe ndërtimin e një ure paralele që ndihmon për qarkullimin, duke lehtësuar trafikun në këtë aks kryesor”, tha ministri, teksa e vuri theksin në lehtësinë e qarkullimit që do të krijojë ky investim gjatë sezonit veror.

Nga ana e tij, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli bëri të ditur se punimet kanë arritur në 65% të realizimit fizik. “Jemi në 65% të punimeve fizike. Është kryer zgjerimi i rrugës dhe përfshihet edhe zgjerimi i trotuareve. Në zonën urbane ku kalon kjo rrugë, punimet kanë vijuar pa penguar aktivitetin e bizneseve”, tha ai.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ministri Karakaci theksoi gjithashtu se është rishikuar projekti për të përmirësuar funksionalitetin e qarkullimit. “Është riparë projekti i kësaj rruge, duke shtuar edhe një rrethrrotullim pranë Urës së Bahçallëkut, i cili nga pikëpamja e lëvizjes lehtëson ndjeshëm trafikun dhe rrit aksesin në disa lagje të qytetit” deklaroi ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Deri më 7 maj, segmenti pranë rrethrrotullimit do të vijojë me shtrimin e asfaltit, në mënyrë që gjatë sezonit veror të kemi lehtësim të trafikut. Së bashku me Policinë do të hartojmë edhe një plan të posaçëm qarkullimi”, tha Karakaci. Drejtori i ARRSH-së informoi se ndërkohë po vijojnë punimet për ndërtimin e urës së re, e cila pritet të ndikojë në disiplinimin e trafikut drejt Tiranës. “Ura që po ndërtohet do të disiplinojë trafikun që vjen nga Shkodra në drejtim të Tiranës. Jemi në ndërtimin e pilotave dhe presim uljen e nivelit të ujit për të vijuar me vendosjen e të tjerave” u shpreh ai.

Ministri kërkoi përshpejtimin e punimeve për t’iu përgjigjur fluksit të shtuar gjatë sezonit veror, ndërsa bëri të ditur se një pjesë e rëndësishme e aksit do të jetë funksionale shumë shpejt. Paralelisht, vijojnë edhe shpronësimet e fundit për të mundësuar vazhdimin e punimeve sipas afateve të parashikuara.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?