VIDEO/ Zjarri në Fier, Policia: Jemi në terren për të garantuar sigurinë e banorëve
Në fshatin Fermë Çlirim, ka rënë një zjarr, i cili, për shkak të erës së fortë, është përhapur me shpejtësi në drejtim të fshatit Radostinë dhe fshatrave përreth, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe bimësie.
Policia e Shtetit informon se si pasojë e përhapjes së flakëve, janë dëmtuar disa banesa dhe biznese, ndërsa zjarri ka rrezikuar edhe banorët dhe prona të tjera në zonat e banuara. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë për evakuimin e disa familjeve nga zonat e rrezikuara, duke garantuar sigurinë e banorëve dhe duke marrë masa për shmangien e pasojave më të rënda.
Në terren janë angazhuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shërbimet zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e emergjencave civile, si dhe strukturat e tjera përgjegjëse. Shërbimet e Policisë vijojnë të jenë të angazhuara në terren, duke garantuar sigurinë e banorëve dhe duke bashkëpunuar me të gjitha strukturat përgjegjëse për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, që për shkak të erës së fortë, zjarri është përhapur në fshatrat Fermë Çlirim, Radostinë, Levan, Peshtan i Vogël, Frakull dhe Zhupan.
Njëkohësisht, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit, dokumentimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit, nëse zjarri rezulton të jetë shkaktuar nga veprime të kundërligjshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për çdo qëllim tjetër, pasi përhapja e pakontrolluar e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.
Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar reagim të menjëhershëm, të paanshëm dhe ruajtjen e anonimatit.
KOHA JONË SONDAZH

