VIDEOLAJM/Vrasës por të lirë, 3 të kërkuarit nga Policia
Pothuajse çdo ditë, Policia e Shtetit publikon emrat e 50 personave më të kërkuar në Shqipëri, objekt i punës së Njësisë së Kërkimit. Të martën, policia publikoi fotot dhe ngjarjet e tre të kërkuarve të tjerë nga lista që akuzohen për vepra të rënda penale. Ata janë i dënuari më burgim përjetë Bajram Boci, i cili akuzohet se gjatë një operacioni policor në Lazarat ku mbeti i vrarë një punonjës i policisë së shtetit dhe u plagos një tjetër, ishte pjesë e grupit që kanë qëlluar në drejtim të tyre. Të kërkuarit e radhës janë gjithashtu Alban Baftjari, i dënuar për veprën penale “vjedhja me pasojë vdekjen, në bashkëpunim”, si dhe Jashat Begani, i cili ka vrarë dy persona në zonën e stadiumit “Qemal Stafa”.
“Në kuadër të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nisur nga rrezikshmëria e theksuar e secilit prej personave bazuar në veprën penale që ka kryer dhe në masën e dënimit të marrë nga gjykatat, duke filluar nga masa më e rëndë, burgim i përjetshëm dhe deri në 25 vjet burgim është përcaktuar lista me 50 personat më të kërkuar, që do jenë objekt i punës së forcës së posaçme. Njësia e Kërkimit do të marrë gjithë masat e duhura për realizimin e kërkimit të këtyre personave dhe kapjen e tyre, duke bashkëpunuar me strukturat përkatëse në Drejtoritë Vendore të Policisë, si dhe me strukturat homologe të vendeve europiane që bëjnë pjesë në rrjetin ENFAST. Policia e Shtetit kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve që pas çdo publikimi të fotove të personave në kërkim, në rast se disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tyre, të njoftojnë në Komisariatin Dixhital apo numrin falas 112, duke u siguruar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Barjam Boci
Në datën 24 qershor 2015, në fshatin Lazarat, Gjirokastër, gjatë një operacioni policor është vrarë me armë zjarri punonjësi i Policisë së Shtetit Ibrahim Basha, si dhe janë plagosur punonjësit J. I. dhe P. H. Barjam Boci ka qenë pjesë e grupit që ka qëlluar në drejtim të Policisë. Barjam Boci është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, për veprat penale “Vrasja me dashje në rrethana cilësuese” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Alban Baftjari
Në datën 7 mars 2001, në fshatin Shetel, Shijak, Durrës, Alban Baftjari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka shkuar në orët e vona të mbrëmjes, në banesën e shtetasit Xh.B, për të vjedhur dhe ka plagosur rëndë shtetaset Sh.B, S.B dhe shtetasin Xh.B, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen. Alban Baftjari është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “vjedhja me pasojë vdekjen, në bashkëpunim” dhe “armëmbajtja pa leje”.
Jashar Begani (Begami)
Në datën 21 korrik 1997, në zonën e stadiumit “Qemal Stafa” në Tiranë, Jashar Begani (Begami) ka vrarë shtetaset A.L. (B.) dhe Z.K. Jashar Begani (Begami) është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “vrasja me paramendim” dhe “armëmbajtja pa leje”.