Videoloja Doshi-Braho

 

Historia e akuzave të deputetit Tom Doshi nuk është nga ato çështje që  në Shqipëri zgjasin vetëm 3 ditë. Që nga koha kur nisi, si një shqetësim për premtimet e pa mbajtura në fillim të marsit e deri më sot, opinioni është ushqyer përditë me histori të reja. Detaje të pa dëgjuara më parë, teori konspiracioni dhe skenarë në kufijtë e të paimagjinueshmes. Dje, historisë së përballjes iu shtua dhe një element tjetër që e komplikon edhe më shumë situatën. Deputeti Tom Doshi, pas një takimi me deputetin Mark Frroku, i cili pavarësisht se u tha se kishte temë kryesore bizneset e përbashkëta (vetëm për biznes duket se nuk ishte) doli i relaksuar nga lokali në “Sheraton”. Madje preferoi të bënte edhe ironi me një deklaratë që personifikohet tashmë me kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Ai tha me shpoti: “Me qetësi dhe dashuri”! “Rëndësi ka që prokuroria të marrë kamerat në Hanovër. Unë i disponoj, por është e rëndësishme me i marrë Prokuroria. Kjo është e rëndësishme për sot”, – tha Doshi. Por çfarë përmban kjo video? Sipas variantit të deputetit Doshi në të është filmuar deputeti dhe kryetari i komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, së bashku me një biznesmen nga Durresi, teksa takohen me vëllanë e Fatjon Skënderajt. Ky i fundit, po sipas Doshit, është personi që ka kontaktuar me vrasësin e dyshuar, Durim Bani për të dhënë porosinë e eliminimit të tij dhe të Mhill Fufit. Takimi sipas Doshit është regjistruar nga kamerat e aeroportit dhe më pas, vëllai i Skënderajt, i ka çuar të takohen me të në Hanovër.

Nuk dihet nëse deklarata e Doshit është e vërtetë që ka video, duke qenë se ato janë në pronë të një institucioni të huaj i cili sigurisht nuk ka praktika të njëjta, si ato të ndonjë lokali në Tiranë. Pavarësisht nëse është bllof apo jo deklarata e Doshit se ka një video tjetër, e komplikon edhe më shumë situatën. Doshi publikoi një video disa ditë më parë, ku personi që dyshohej se kishte marrë porosinë për të bërë vrasjen, Durim Bani, rrëfente detaje sipas tij për planin e vrasjes. Më pas, Bami mësohet se e ka hedhur poshtë versionin se ishte paguar, po ka thënë se është detyruar ta bëjë videon pas kërkesës së Doshit. Kërcënimi me video është një sport i njohur në politikën tonë. Pas Doshit, ishte kryetari i komisionit të Sigurisë dhe deputeti i LSI-së, Sparak Braho ai që dha mesazhin se dispononte video lidhur me njerëzit që kanë sajuar historinë e atentateve. Presioni nuk ishte vetëm për Doshin, por edhe për Dritan Priftin, njeriun që sipas Brahos qëndron pas këtij skenari për shkak të konfliktit të hershëm më kreun e LSI-së, Ilir Meta.

Dalja e një tjetër filmimi vetëm sa i shton elementët e një videoloje që ka nisur më herët. Në shumicën e rasteve videot vetëm sa e kanë pështjelluar edhe më tepër situatën duke ngritur pikëpyetje për mënyrën sesi janë siguruar, apo edhe për montazhe të mundshme. Në jo pak raste ka patur montoazhe apo lojë përfekte montazhesh. Megjithatë historia e çështjes “Doshi” është marrë nën hetim nga prokuroria si asnjë rast tjetër. Janë thirrur për të dëshmuar mbi 40 persona, mes tyre krerët e shtetit; Kreu i Kuvendit, Kryeministri, Ministri i Brendshëm, drejtues të policisë, prokurorë dhe gjithë emrat e përmendur në çështjen që prej gjashtë muajsh dihej nga drejtuesit kryesorë të shtetit. Kur ende nuk ka një përfundim të hetimeve nga ana e prokurorisë, strategjia për të nxjerrë çdo ditë ndonjë element të ri, me deklarata “bombë” apo video “bombë”, më shumë se zbardhjes së të vërtetës i shkon për shtat përfitimeve politike që merren nga zgjatja e saj.

Opozita po e shfrytëzon mjeshtërisht këtë situatë duke nisur një fushatë protestash dhe fushatë ndërkombëtare kundër mazhorancës. Akuzat nuk janë verifikuar dhe nuk ka asnjë provë kundër kreut të Kuvendit për lidhjen me akuzat e Doshit, por pavarësisht kësaj, historia e përsëritur mijëra herë shkakton jo pak dëme në imazhin e mazhorancës dhe të kreut të Kuvendit. Zgjatja akoma edhe më tepër me video, vetëm sa e bën dhe më të rrezikshme situatën. Deklarata e Brahos me çantën e zezë me video dhe deklarata e djeshme e Doshit duket se kanë shumë të përbashkëta. Më shumë se materialet, synojnë të kapin në befasi kundështarin duke bërë dhe bllofin.

Por nuk dihet se çka Spartak Braho në atë çantë të zezë ku thotë se ruan disa kaseta shkatërruese për kundërshtarët, bile edhe video me seks. E mira e do që ose ti nxjerrin dhe të mos bëjnë lojë ose  ta mbyllin këtë videolojë njëherë e mirë.

SHKARKO APP