Vijon alarmi, nesër shtrëngata shiu. Ja kur tërhiqet Vjosa

Tre lumenjtë e mëdhenj, Vjosa, Semani dhe Shkumbini, vijojnë të kërcënojnë jugun e Shqipërisë nga përmbytjet masive. Të dhënat më të fundit nga Instituti i Gjeoshkencës tregojnë se përmbytjet në Vlorë dhe Fier nga Lumi Vjosa do të jenë shumë të larta, kryesisht në pjesën fushore.

Ndërkohë, pritet që Lumi Vjosë të tërhiqet në shtratin e tij natyral vetën nga fundi i ditës së hënë. Reshjet do të vijojnë gjatë ditës së sotme, ndërsa nesër pritet të jenë më të forta, shoqëruar me shtrëngata, si dhe reshje në formë dëborë në shumë zona malore.

Njoftimi i plotë:
Reshjet e matura nga IGJEUM në basenet e lumenjve Vjosa, Seman dhe Shkumbin, përgjatë 24 orëve të kaluara, kanë qenë shumë intensive. Gjithashtu edhe jashtë kufirit të Shqipërisë në basenin e lumit Vjosa këto reshje kanë qenë shumë intensive. Gjatë ditës së sotme e Shtunë (dt.02.12.2017) deri nesër e Diel (dt.03.12.2017), reshjet maksimale 24 orare, priten mesatare deri lokalisht intensive. Shenjat e Alarmit për përmbytje urbane ose nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël janë hequr nga tabela e qarqeve, sepse këto përmbytje e kanë kaluar pikën kritike përgjatë natës së kaluar.

Mbeten aktive paralajmërimet për vazhdimin e përmbytjes nga Lumi Vjosa në qarqet Fier dhe Vlorë. Nga llogaritjet e fundit hidrologjike rezulton se, në pjesët fushore të këtyre lumenjve do të vazhdojë përmbytja me prurje shumë të larta nga Lumi Vjosa. Efektet kryesore të përmbytjeve në pjesët fushore në qarqet Vlorë dhe Fier do të vazhdojnë përgjatë ditës së sotme e Shtunë (dt.02.12.2017). Lumi Vjosa do të fillojë të tërhiqet në shtratin e tij natyral përgjatë fundit të ditës së Hënë (dt.04.12.2017). Shenjat e Alarmit për Përmbytje nga Lumi Vjosa janë vendosur në tabelë.

Në pjesët e sipërme të baseneve në qarqet (Elbasan, Gjirokastër dhe Berat) do të ulet rreziku nga përmbytja, për këtë arsye shenjat e alarmit janë hequr nga tabela.

PARASHIKIMI METEO: RESHJE
Sot pasdite (e shtunë, dt.02) reshjet do të vazhdojnë, me një intensitet mesatar deri lokalisht intensive. Nesër (e diel, dt.03) reshjet do të vazhdojnë me një intensitet mesatar deri lokalisht intensive të shoqëruara me shtrëngata (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Reshjet do të jenë në formë dëbore në zonat e larta malore, kryesisht në veri dhe lindje të vendit.

TEMPERATURAT
Nesër (e diel, dt.03) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 7 °C / 13 °C

në vendet e ulta: 6 °C / 13 °C

në vendet malore: -1 °C / 6 °C.

ERA
Sot pasdite (e shtunë, dt.02) dhe nesër (e diel, dt.03) do të fryjë e dobët, ndërsa ne bregdet deri mesatare.

/shqiptarja.com

SHKARKO APP