Vijon përplasja Trump – Musk: Ndoshta duhet të kthehesh në Afrikën e Jugut

Donald Trump dhe Elon Musk janë futur sërish në një përplasje të ashpër, këtë herë për propozimin e buxhetit amerikan.
Elon Musk kërcënoi se do të krijojë një parti të re politike “që nesër” nëse Kongresi miraton buxhetin, duke e quajtur projektligjin një “çmenduri shpenzimesh” që rrit borxhin kombëtar me 5 trilionë dollarë. Ai tha se vendi ka nevojë për një alternativë ndaj sistemit aktual Demokrat-Republikan, duke shtuar se 80% e njerëzve që morën pjesë në sondazhin e tij janë pro krijimit të një partie të re.
Trump reagoi ashpër në Truth Social, duke i thënë Musk që “ndoshta duhet ta mbyllë biznesin dhe të kthehet në Afrikën e Jugut”. Ai theksoi se Musk ka marrë më shumë subvencione nga qeveria se kushdo tjetër në histori dhe se pa këto ndihma, bizneset e tij mund të mos mbijetojnë.
Trump kujtoi gjithashtu se ai ka qenë gjithmonë kundër detyrimit të njerëzve për të blerë makina elektrike, duke shtuar me ironi se pa subvencione “nuk do të ketë më raketa, satelitë apo makina elektrike, dhe vendi do të kursejë shumë para”.