“Viktimat e torturave të xhelatëve me pension 10 mijë lekë”, ish-të përndjekurit të harruar nga shteti
Në ditën ndërkombëtare të drejtësisë, ish-të burgosurit dhe ish-të përndjekurit politik ndihen të diskriminuar dhe të përjashtuar nga çdo e drejtë, si persona që kanë dhënë kontributin e tyre gjatë periudhës së komunizmit.
“Drejtësia te ne është në disnivele të kundërta. Drejtësia te ne është për të privilegjuarit e komunizmit dhe aspak për ata që luftuan për drejtësi, për ata që nuk pranuan diktaturën. I burgosuri politik ka bërë 20 vjet burg dhe neni terrorist për 20 vjet që është dënuar ja heq të drejtën e dëmshpërblimit.”
Besim Ndregjoni, President i Unionit të të perndjekurve politik ka një apel drejtuar qeveritarëve dhe drejtësisë.
“I apeloj në emër të 100 mijë familjeve shqiptare të përdjekura politikisht, ju lutem shumë heshtni zotërinj qeveritarë dhe parlamentarë, zbatoni Kushtetutën, mos shkelni të drejtat dhe liritë tona.”
Sipas tij rreth 36 mijë familje në të gjithë vendin nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet, ndërsa pensionet e të dënuarve politik, Ndregjoni i konsideron qesharake.
“I burgosur politik, viktimat e torturave të këtyre xhelatëve e kanë pensionin 100 mijë lekë të vjetra. E kuptoni çfarë disniveli kanë krijuar?”
Ndërkohë prej disa ditesh, 4 ish-të përndjekur janë ngujuar në grevë urie në vendin ku kanë vuajtuar dënimin në periudhën e komunizmit, në burgun e Qafë Barit.