Viktimat nga meningiti/ Ministrja Manastirliu: Nuk ka vend për panik
Në vendin tonë një person ka humbur jetën nga meningiti. Ky është një rast i konfirmuar zyrtarisht, ndërsa kanë vdekur edhe dy persona të tjerë, që sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu po kryhen analizat mjeko-ligjore për të përcaktuar nëse kanë qenë apo jo të prekur nga kjo sëmundje. E ftuar në “Mbrëmje në Abc” me Mirela Milorin, ministrja foli për herë të parë për shqetësimin e krijuar në opinionin publik për përhapjen e meningitit.
“Ministria e Shëndetësisë, ISHP dhe Infektivi në QSUT janë duke ndjekur situatën, mund të them se nuk ka vend për panik dhe alarm të kot. Duhet të kuptojmë se jemi vend me incidencë (propabilitet) të ulët dhe prevalancë të ulët. Kemi marrë masat për profilaksinë përmes medikamenteve dhe vaksinave të cilat mund ti marrë një rast (person) që ka patur kontakte me personin e sëmurë. Me këtë çështje po merren ekspertët, ndërsa unë dua të garantoj se s’ka vend për panik. Gjatë këtyre ditëve kemi nxjerrë ekspertët për të dhënë informacion edhe për informuar opinionin publik dhe jo për ta dezinformuar atë. Pra, e përsëris se aktualisht në vendin tonë s’ka vend për alarm nga meningiti”, tha ministrja Manastirliu.
E pyetur konkretisht nga Milori, për tre rastet e mortalitetit, ajo u shpreh se kemi dhënë informacion zyrtar përmes ekspertes së ISHP-së Silva Bino. “Rastet janë. Ne kemi dhënë informacion publik, ka informuar profesoreshë Silva Bino. Njëri është rast i mundshëm ndërsa për rastet e tjera pritet ekspertiza mjeko-ligjore. Masat janë marrë për vaksinimin e kontakteve dhe po minotorohet situata nga ekspertët dhe mjekët e Infektivit sa i përket profilaksisë”, deklaroi Manastirliu.
Ajo u pyet edhe për situatën e gripit, ku theksoi se “ne nuk jemi në epidemi gripi. Qarkullon virusi i gripit, jemi aktualisht në intensitet të ulet, edhe më i ulët krahasuar me një vit më parë. Kemi bërë një hap të mirë për të vaksinuar grupet e riskuara, të moshuarit, gratë shtatëzënë dhe fëmijët 2-5 vjeç. Ka raste të konfirmuar çdo javë, por situata është e qendrueshme”.