Vinçenc Prennushi, poeti penhollë, zëri i buçimshëm i shpirtit krijues, martiri i kishës katolike shqiptare

Albert Vataj

Në kalendarin historik të Kishës Katolike Shqiptare, 19 marsi shënon përvjetorin e kalimit në amshim të Vinçenc Prennushi, ipeshkëvit martir të Durrësit. Ky personalitet i shquar i Kishës dhe i kulturës shqiptare, me jetën dhe veprën e tij, mbetet një shëmbëlltyrë e fesë së palëkundur, e përkushtimit intelektual dhe e sakrificës sublime për Krishtin dhe kombin.
Prennushi u lind në Shkodër më 4 shtator 1885 dhe u pagëzua me emrin Kolë. Qysh në moshë të re ndjeu thirrjen hyjnore për jetën rregulltare, duke iu bashkuar Urdhrit Françeskan më 1900. Studimet teologjike i përfundoi në Tirol të Austrisë, ku u shugurua meshtar dhe mori emrin Vinçenc.
Veprimtaria e tij e pasur si klerik, poet, shkrimtar dhe studiues filloi herët. Ai u shqua jo vetëm për angazhimin dhe përkushtimin e tij baritor, por edhe për dashurinë ndaj letërsisë dhe shkrimit, duke botuar 42 vepra dhe më shumë se 130 shkrime poetike, krahas përmbledhjes Foglie e fiori, të cilën e shihte si një instrument të çmuar rritjeje për kombin dhe kishën.
Në vitin 1917, ishte anëtar i “Komisisë Letrare Shqipe” në Shkodër ku u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. U bë një ndër themeluesit e bashkëpunëtorët e grupit më të rëndësishëm të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuan edhe fletorën e tyre “Ora e Maleve”, ku ishte ndër penat e rëndësishme.
Që nga viti 1909 nisi të botojë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar letrare dhe kulturore. Ndër veprat e tij më të njohura janë:
“Kangë popullore gegnishte” (1911), një përmbledhje e pasurisë së folklorit shqiptar;
“Fjala e Zotit” (1918), një fletëpalosje liturgjike;
“Java e Madhe”, një libër fetar mbi ngjarjet e Pashkëve;
Dramat “E trathuemja” dhe “Prej robnie në liri”;
Studimi “Nder lamije të demokracisë së vërtetë” (1922);
Kryevepra poetike “Gjeth e Lule” (1924), një kurorëzë e talentit të tij si poet;
Biografitë agjiografike “Shën Françesku i Asizit” dhe “Jeta e Shna Ndout prej Padue” (1913);
Përkthimet e rëndësishme të kryeveprave evropiane, si “Quo Vadis” e Henryk Sienkiewicz, “Burgjet e mia” e Silvio Pellico dhe “Dreizehnlinden” e Friedrich Wilhelm Weber.
Poezia e Prennushit karakterizohet nga një përzierje e harmonishme mes ëmbëlsisë dhe trishtimit, një tingëllim i thellë shpirtëror dhe një reflektim mbi fatin e njeriut dhe të kombit. Ai e vështroi botën materiale si një sprovë për njeriun, i cili shpesh bie pre e lakmive vetjake dhe mungesës së vetëpërmbajtjes.
At Justin Rrota e përshkruan me këto fjalë: “Në atë mënyrë që At Fishta mund të quhet poeti i Gegërisë, sepse arriti të nxjerrë nga populli malësor dhe fusharak bukuritë më të ndritshme të të shprehurit, po kështu Prennushi mund të mbahet si poeti i qytetit të tij, sepse gjithçka gjeti të hijshme në frazeologjinë dhe fjalorin e këtij dialekti e mblodhi me shije të hollë në shkrimet e tij.”
Më 1924 botoi broshurën me 16 fletë Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë, ku ka shfaqur mendime për një shtet të ëndërruar demokratik të tipit perëndimor. Më 19 Mars 1936, Selia e Shenjtë e emëroi peshkop të Sapës, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1940, kur u emërua kryepeshkop metropolitan i Dioqezës së Durrësit, duke pasur nën administrim kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën. Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkodër, më 26 Maj 1946, dhe arrestimit të Don Mikel Koliqit, famulltar i Shkodrës, Imz. Prennushi u ngarkua me detyrën e Primatit Katolik të Shqipërisë.
Në vitin 1945 Enver Hoxha i kërkoi takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim ka qenë i pranishëm edhe Imzot Gaspër Thaçi. Sipas një artikulli të Arshi Pipës me të cilin qe bashkëvuajtës në Burgun e Durrësit deri në verën e 1948, u “konsultua” me klerikët për problemet e Kishës Katolike në Shqipëri. Qëllimi i vetëm i takimit ishte që të impononte këndvështrimin e tij për fenë dhe Vatikanin.
Më 19 maj 1947 Imzot Prennushi u arrestua dhe filloi t’i nënshtrohej një kalvari vuajtjesh fizike e psikologjike, të krijuar nga regjimi komunist shqiptar. Më 18 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit, e përbërë nga kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Xhule Çiraku, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapën gjyqin kundër tij. Vendimi i Gjykatës së Durrësit u përcoll për shqyrtim në Gjykatën e Lartë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quajtur Sotir Qiriaqi (data 1 dhjetor 1947). Gjykata e Lartë Ushtarake Tiranë, e përbërë nga kryetar, major Niko Çeta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, më 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çështjen e të pandehurve “refuzon kërkesën e tyre”.
Prennushi deklaroi se lufta e tij ishte kundër komunistëve e Partisë Komuniste që të mos ekzistonin, kur të formohej pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve. Aty, mes torturave dhe kushteve çnjerëzore, ai e dha shpirtin më 19 mars 1949, duke qëndruar i patundur në besimin e tij. Thuhet se fjalët e tij të fundit ishin një lutje për “më shumë dritë”, duke e mbyllur jetën e tij si një flijim për lirinë shpirtërore dhe për të vërtetën.
Në vitin 1947, Vinçenc Prennushi u arrestua nga regjimi komunist në Tiranë dhe u burgos në Durrës.
Arshi Pipa, i cili ishte i pranishëm në momentet e fundit të tij, shkruan: “Është vështirë të pranosh se gjithçka përfundon me trupin, kur sheh se si njerëzit vdesin për ideale.”
Më 5 nëntor 2016, pas një procesi të gjatë kanonik, Vinçenc Prennushi dhe 37 martirë të tjerë të Kishës Katolike Shqiptare u lumturuan nga Papa Françesku në një ceremoni solemne në Shkodër. Ata u njohën nga Kisha Universale si ndërmjetësues pranë Hyjit dhe si shembuj të udhës ungjillore për gjithë besimtarët e krishterë.
I Lumi Vinçenc Prennushi dhe martirët e tjerë të Kishës Katolike Shqiptare janë një testament i heroizmit të fesë së krishterë në kohë të errëta. Ata qëndruan të palëkundur përballë dhunës dhe persekutimit, duke dëshmuar me jetën e tyre Ungjillin e paqes dhe të pajtimit vëllazëror. Shembulli dhe ndërmjetësimi i tyre mbeten një thirrje për të gjithë ne, që të angazhohemi për ndërtimin e një qytetërimi të dashurisë, ku e vërteta dhe liria triumfojnë mbi errësirën e dhunës dhe frikës.
Në vitin 1993, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në kujtim, e dekoroi me titullin “Dëshmor i Demokracisë” dhe aktualisht është më i rëndësishmi nga tridhjetë e tetë dëshmorët shqiptarë të lumturuar në vitin 2016.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?