Vitamina D ul rrezikun e Covid-19, ja çfarë thonë ekspertët shqiptarë

Miliona persona janë infektuar nga Covid-19, ndërsa shumë prej tyre nuk kanë fituar këtë betejë, e si rrjedhojë kanë humbur jetën. Teksa ende nuk kemi një vaksinë, që mund të “mposhte” virusin, mjekët e ekspertët në të gjithë botën, kanë nisur të hulumtojnë për të gjetur rrugën e duhur për të minimizuar agresivitetin e virusit. Një mjek në Britani, së fundmi ka zbuluar se Vitamina D rrit më shumë imunitetin e trupit dhe ul rrezikshmërinë e virusit.

Ky studim ishte temë diskutimi në studion e emisionit “Ftesë në 5”, ku të ftuar ishin nutrocionistia Enkeleida Ferrollari, dermatologia Florida Canaj, sipërmarrësi Eglent Bici dhe dietologia Brikena Xhixho. E para që e mori fjalën ishte nutrocionistia Enkeleida Ferrollari, e cila tha se prezenca e Vitaminës D në organizëm është e rëndësishme. E mira se si të përfitohet kjo vitaminë janë rrezet e diellit, ndërsa suplementet të përdoren vetëm në mënyrë plotësuese.

“Kemi mundësi të ekspozohemi në diell, është vështirë të mbetemi pa prezencën e vitaminës D gjatë dimrit. Gjatë stinës së verës, përdor trupi aq sa ka nevojë dhe më pas e depoziton në indet dhjamore. Ka dhe persona për shkak të jetës që kryejnë, nuk e ekspozohen në diell. Unë jam për të gjitha llojet e vitaminave, sepse të ndihmojnë shumë. Është herët për të folur”, u shpreh Enkeleida.

Ndërsa sipërmarrësi Eglent Bici, tha se ai sistematikisht merr vitamina C. Ndërsa një shpjegim kishte dhe për personat obezë, të cilët janë një grupim i rrezikuar nga virusi. Sipas sipërmarrësit, këta persona duhet të humbin në peshë.

“Gjëja e parë që duhen të bëjnë ato që janë obezë duhen të humbin në peshë. Unë besoj që çdo gjë përveç antibiotikëve që merren me shumicë, është mirë ta kesh. Unë marr vitaminë C pothuajse rregullisht. Tani doli vitamina D, do të dali vitamina B, është çështje marketing”, tha Bici.

SHKARKO APP