Viti 2020, pa përfundime për zgjerimin

Viti i pandemisë nuk do të mbahet mend vetëm për pasojat e kësaj të fundit, por edhe për mbylljen e tij pa përfundime nga vendet e BE-së për herë të parë në historinë e zgjerimit. Presidenca gjermane nuk ka arritur, dhe as është lodhur të bindë vendin kryesore bllokues, Bullgarinë, që të heqë veton si nga kuadri negociues për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe nga përfundimet për procesin e zgjerimit.

Për Shqipërinë, të cilës i mbeten dy kushte për të plotësuar para mbajtjes së mundshme të konferencës së parë të anëtarësimit, apo siç njihet ndryshe, konferenca ndërqeveritare, vendet mbështetëse kanë preferuar t’i shtyjnë gjërat për në fillim të vitit tjetër, gjatë presidencës portugeze, për të kërkuar përmirësim të mëtejshëm të tekstit për vendin.

Nëse një zgjidhje e fundit dhe e papritur në realitet gjendet deri në takimin e fundit të ambasadorëve të BE-së të mërkurën, samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive në fund të javës mund të përfshijë një resht në përfundimet e tij për zgjerimin.

Ambasadorët kanë mbetur larg kompromisit në ditët e fundit dhe kanë hequr nga kalendari i punës së të hënës diskutimin për vendet kandidate, për shkak të mungesës së dakordësisë. Koha ka mbaruar për shpresat e ngritura këtë gjysmë-viti nga presidenca gjermane për mbajtjen e mundshme të konferencave të para brenda muajit dhjetor, duke bërë që kjo dosje t’i kalojë tashmë presidencës së ardhshme të BE-së, nën drejtimin e Portugalisë, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2021. /Euronews/

SHKARKO APP