Viti i ri shkollor, fëmijët e fshatit Mazhë ende pa shtëpi: Në çadër nuk rrihet

Jo të gjithë fëmijët janë të lumtur për vitin e ri shkollor. Fëmijët e fshatit Mazhë në Fushë-Krujë, shtëpitë e të cilëve u prishën nga tërmeti 10 muaj më parë, nuk i kanë nisur ende përgatitjet.

”Shumë mirë, edhe në çadër nuk rrihet, më mirë në shkollë. Asnjë gjë s`kemi marrë njëherë për njëherë. Çantën se kemi marrë do ta marrim, as librat jo se s`kanë dalë”, shprehet një djalë i vogël. “Unë po e pres me padurim sepse shkolla është e rëndësishme por ama kemi edhe frikë prej pandemisë. Mesa dimë mund të bëjmë mësim një javë po, një javë jo. Një javë në shkollë, një javë online”,- thotë një nxënëse.

Ata janë të detyruar të udhëtojnë disa kilometra për të shkuar në shkollën e Fushë-Krujës, pasi shkolla e tyre e dëmtuar nga tërmeti, ende nuk është rindërtuar. Fëmijët tregojnë se në shkollën e Fushë-Krujës ku duhet të shkojnë ka dhe shfaqje bullizmi.

Për familjet e mbetura në çadra, pandemia e Covid-19 është një barrë e dyfishtë. Ruajtja e higjienës, është një nga masat kryesore për parandalimin e covid-19, por në çadra e kontenierë tualetet dhe dushet mungojnë. Në kushte të tilla, nëna e trinjakëve të familjes Prrini shprehet e shqetësuar për shëndetin e fëmijëve të saj.

SHKARKO APP