Vizita e Ndihmës-Sekretares së Përgjithshme të OKB-së në Lezhë: Zhvillim në arsim dhe gjithëpërfshirje sociale
Ivana Živković, Ndihmës-Sekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Ndihmës-Administratorja dhe Drejtoresha Rajonale e UNDP-së për Evropën dhe Bashkësinë e Shteteve të Pavarura, vizitoi Bashkinë e Lezhës për të parë nga afër ndikimin e ndërhyrjeve dhe projekteve të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri. Živkoviç e shoqëruar nga Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, Zv. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga dhe Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, u takua me partnerët lokalë dhe inauguroi projekte kyçe që po transformojnë jetët e qytetarëve.
Një moment kryesor i vizitës ishte inaugurimi i shkollës 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti”, e cila është rindërtuar falë programit EU4Schools/BE për Shkollat. Ky institucion arsimor modern tashmë u shërben 631 nxënësve dhe 38 mësuesve. Objektet e reja të shkollës përfshijnë laboratorë, bibliotekë, sallë multifunksionale, zyrë për mjek dhe psikolog, si dhe palestër. Programi EU4Schools është një projekt prej 75 milionë eurosh, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNDP, i cili ka në fokus rindërtimin ose riparimin e 63 institucioneve arsimore në 11 bashki të prekura nga tërmeti.
Deri më tani, 57 shkolla janë përfunduar në kuadër të këtij programi, duke përfituar mbi 20,000 nxënës dhe 1,200 mësues me ambiente mësimi të sigurta dhe bashkëkohore. Rindërtimi udhëhiqet nga parimet “Ndërtojmë më mirë” dhe “Ndërtojmë së bashku,” duke u përqendruar jo vetëm në rikuperimin e infrastrukturës, por edhe në zhvillimin e komuniteteve më të qëndrueshme dhe të përgatitura për fatkeqësitë.
Gjatë inaugurimit, Živković dhe personalitetet e tjera u takuan me nxënës dhe mësues dhe diskutuan për ndikimin pozitiv që kanë këto objekte arsimore të modernizuara në arsim. Nxënësit tashmë kanë një ambient që mbështet si suksesin akademik ashtu edhe zhvillimin personal. Živković falënderoi Bashkimin Evropian për partneritetin strategjik dhe për programin “BE për Shkollat” nga të cilat përfitojnë brezi i ri i Shqipërisë.
Gjithashtu, gjatë kësaj vizitë në Lezhë, znj. Živković vizitoi Qendrën “Fuqizojmë Komunitetin”, e cila ofron shërbime sociale të integruara për grupet në nevojë, përfshirë viktimat e dhunës në familje, personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët dhe të rinjtë nga grupet në nevojë. Që nga hapja e saj në Shkurt 2024, qendra ka mbështetur mbi 309 qytetarë, duke ofruar një gamë të shërbimeve që synojnë të nxisin përfshirjen sociale dhe qëndrueshmërinë.
Kjo qendër është pjesë e një projekti më të gjerë, të financuar nga USAID, që përfshin ngritjen e tre qendrave “Fuqizojmë Komunitetin” në Lezhë, Durrës dhe Kurbin. Këto qendra kanë ndihmuar 1,275 qytetarë duke kontribuar në ndërtimin e komuniteteve më të forta dhe më gjithëpërfshirëse. Živković vlerësoi modelin e Qendrës “Fuqizojmë Komunitetin”, qasjen e tyre multi-sektoriale dhe theksoi rëndësinë e saj në trajtimin gjithëpërfshirës të nevojave të grave dhe burrave në nevojë. Ajo tha se shpreson që modeli i kësaj qendre të frymëzojë nisma të ngjashme në bashkitë e tjera në Shqipëri, duke siguruar një qasje më të gjerë ndaj shërbimeve sociale të integruara thelbësore.
Në Qendrën “Fuqizojmë Komunitetin” në Lezhë, e shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Kurbinit, znj. Živković vëzhgoi se si shërbimet sociale të integruara po transformojnë jetët e vajzave, djemve, grave dhe burrave. Kjo qendër, një nga tre të ngritura në kuadër të Programit “Fuqizojmë Komunitetin”, i financuar nga USAID dhe i zbatuar nga UNDP, u shërben komuniteteve në nevojë, duke siguruar që askush të mos lihet pas në rrugëtimin e Shqipërisë drejt zhvillimit të qëndrueshëm.