“Vjelje” masive nga taksa e pronës – Si do të mbushet arka e bashkive në 3 vitet e ardhshme

Pushteti vendor ka një plan ambicioz në rritjen e të ardhurave në tre vitet e ardhshme, ku përsëri furnizimi kryesor vjen nga transferta e pakushtëzuar e qeverisë.

Në 2019 të ardhurat vendore parashikohen në vlerën e 26.9 miliardë lekëve, ku një rol të rëndësishëm do të zënë edhe të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore, të cilat parashikohen në rritje me 18.2 për qind më të larta se plani fillestar buxhetor i këtij viti.

Një nga detyrat që u është lënë bashkive nga qeveria është aplikimi i metodologjisë së re për taksën e pronës, e cila mesa duket deri tani nuk ka funksionuar, për shkak se pushteti vendor ende nuk ishte gati dhe se mungesa e kadastrës fiskale sjell pengesa në llogaritjen për të gjitha banesat.

Kështu, taksa e pasurisë parashikohet të ketë një rritje graduale nga vitit në vit, ku 2019-ta pritet të mbyllet me 6.9 miliardë lekë të ardhura dhe në 2020-ën janë parashikuar rreth 7.4 miliardë lekë.

Po ashtu, parashikime optimiste janë bërë edhe për dy vitet në vijim,  me 7.9 miliardë lekë në 2021 dhe rreth 8.4 miliardë lekë në 2022-shin.

Rritja është paramenduar me aplikimin gradual mbi ndërtesat aktuale, si dhe përfshirjen edhe atyre banesave që aktualisht janë të pa legalizuara apo të pa hipotekuara, çka përbëjnë një numër të konsiderueshëm.

Nëse arrihen vlerat e projektuara në projektbuxhetin 2020, pritet që taksa e pasurisë të zërë një peshë të rëndësishme në buxhetet vendore.

Megjithatë, viti 2018 u mbyll me 5.3 miliardë lekë të ardhura nga ky zë, me mosrealizim të plani, ndërsa deri në Gusht të këtij viti janë mbledhur 3.8 miliardë lekë.

SHKARKO APP