Vjen pas 64 vitesh në atdhe, Pirro Mosi përlotet para Teatrit Kombëtar: Njerëz të pangopur…
Ka shumë mënyra për të prezantuar këtë burrë, nipi i Hilë Mosit, fotografi i zbulimeve arkeologjike të Dhimosten Budinës, nxënësi i Gjergj Fishtës, dhuruesi i arkivit të tij personal fotografik Muzeut Kombëtar ‘Marubi’, ish-aktor e ish-regjisor, dashnor i teatrit, njeri i lirë. Ai është të gjitha këto dhe është një burrë që vjen nga Amerika për të mbrojtur Teatrin Kombëtar, tokën e tij të premtuar e të mohuar, prej vitit 1955. Ai është një njeri i lirë, që ecën drejt në këmbë me shikimin drejtuar nga e ardhmja e gjërave në të cilat beson. (Shpesh nuk ka rëndësi nëse ne do jemi ende, kur pema që mbjellim jep frytet e veta). Ndonëse nuk mund të ishte aktori që pat menduar, ndonëse nuk mundi të recitonte autorët që deshte, ai nuk do kurrsesi që teatri të shembet, sepse e di se ëndrrat mund të jetojnë më gjatë se ne. Ai e di se gjërat e mëdha bëhen nga dashuria.
Është 92 vjeç. Ka veshur një bluzë të bardhë e mbi të një këmishë me kuadrate. Flokët i ka të bardhë e sytë e ujët. Ka mirësinë e një gjyshi, fjalën e urtë të një ati, ka kujtesën e një shekulli dhe mendjen e kthjellët të një burri të pjekur.
Nuk flet me mllef, por ndjen dhembje e mall na frazat e zgjedhura për të treguar kush është ai dhe cila ka qenë jeta e tij. I vjen turp kur i përmendin punët e mira, por e thotë atë që beson me zë të plotë.
“E kam ndier për detyrë të vij, po s’kisha mundësi se isha në Amerikë. Edhe historia e familjes, edhe tradita më nxisnin që të vija në mbrojtje të këtij tempulli të kulturës shqiptare. Familja ime ka dhënë në këtë teatër një kontribut modest”, thotë ai. Përmend përkthime të Shilerit, Gëted dhe Goldoniy. I lindur në Shkodër, si nipi i Hilë Mosit, jeta e tij pati disa ndalesa nëpër Shqipëri. “Kur erdhi babai nga shkollimi jashtë, u emërua për montimin e centraleve post-telegrafike. E çuan në Elbasan. Atje u bë anëtar i grupit teatral ‘Skampa’”, kujton Pirro Mosi.
Hesht një hop dhe sheh dy teatrot. Jemi ulur në oborrin mes Kombëtarit e Eksperimentalit. Sheshi përfshihet në një korridor ajror që e bën të freskët edhe në zheg. “Ky vend është vënë në shënjestër nga njerëz të pangopur. Të mbrosh këtë teatër është të mbrosh historinë e kombit. Edhe aktorët që punonin dikur këtu, si unë e ime shoqe kishin halle. Hallet, siç thoshte Stanislavski, i varnin me xhaketat në garderobë dhe interpretonin në skenë si u kishte hije. Shumë nga aktorët që e ‘themeluan’ teatrin nuk qenë zengjinë, as vinin nga akademitë e mëdha, por kishin vullnet”, pëshpërit Mosi.
Kujton rininë e tij në këtë teatër. Vitet e ëndrrave e shpresave. Vitet kur besoje se çdo gjë që e mundur, thjesht që koha të vërtetonte të kundërtën.
“Kam pasur fat që kam ardhur dy herë në këtë skenë. Një herë me një dramatazim të romanit ‘Si u kalit çeliku’ dhe herën tjetër me një pjesë të martirit Xhemal Broja, që erdh nga Italia për të marrë pjesë në luftë e përfundoi në kanalet e Lushnjës. Në këtë teatër njoha gëzimet e dhimbjet e mia. Kur përgatisnim për të vënë në skenë një pjesë vinim për të punuar vonë, pas në orës 22:00 të mbrëmjes. Ishte shumë ftohtë. Ime shoqe u ftoh dhe kaloi 4 vite në sanatorium”, kujton ai nga vitet 1950. Kujton që në skenën e Teatrit Kombëtar ka jetuar edhe çaste të gëzuara. Ka parë pjesë si “Toka Jonë”, “Prefekti”, “Halili dhe Hajria”, ka parë edhe të birin që luante në komedinë “Njeriu që pa vdekjen me sy”.
Pse vjen në mbrojtje të teatrit një 92-vjeçar nga përtej oqeanit? Një 92-vjeçar pa ndonjë interes personal, politik, projektesh, miqësish, synimesh, përfitimesh; pse vjen pra ky burrë që nuk i intereson asgjë materiale e kësaj bote, ky burrë që nuk përdoret lehtë, e as nuk manipulohet lehtë? Ky burrë që as nuk blihet, as nuk shitet, që nuk njeh as parti, as vullnete partiake; pse vjen ky burrë që di vetëm të dojë?
“Organikisht jam i lidhur më këtë skenë. Nuk dua të mbroj diçka të padrejtë, por ky është mision i shenjtë i yni dhe i atyre që s’mund të vijnë. Të mbrosh teatrin sot është të mbrosh kulturën nga antikultura, të mbrosh dinjitetin e këtyre artistëve”, – thotë Pirro Mosi, një shembull si ishte një rilindas – nga ata që dhurojnë pasuritë personale për kombin dhe jo inversi i ditëve tona.
Qesh dhe thotë se kur u ndërrua sistemi, shitësit e dyqaneve privatizuan vendet e tyre të punës. “Po sikur, shton pyetjen Mosi, – të ndodhte që vendin e punës këtu ta privatizonin edhe artistët? E të ndërtonin kioska? Çdo bëhej me teatrin? Ndaj edhe sot duhet këmbëngulur që kjo është vepra e të gjithëve, e artistëve dhe spektatorëve”.
NGA SKENA NË ÇAK
Pirro Mosi njihet si fotograf. Kur vendosi t’i dhuronte “Marubit” arkivin e tij personal të fotografive, për të respektuar dhurimin, në ‘Marub’ për të u bë një ceremoni. Kujton se aparati fotografik është trashëgimi nga babai. “E solli kur erdhi nga jashtë. Në fillim nuk e doja, se doja teatrin. Por kur më hoqën nga teatri, bëra çmos të mbetesha disi tek arti dhe mora aparatin. Kam rendur dhe jam futur në baltë kur projektohej bonifikimi. Kam marrë kazmën e parë në hidrocentralin e Bistricës. Me Javer Malon jam futur në tunelin e Bistricës, ku uji sa shtohej dhe na u duk se po mbyteshin”.
E pyes pse e hoqën nga skena, ç’mund ta ndante një aktor e regjisori nga teatri? Qe partia, mësoj pas pak. Vetëm partia i ndan artistët nga skena. Dikur, partia mësoi se Pirro kishte një vëlla të pushkatuar dhe këtu, partia s’të falte. Sepse partia kishte mbi të gjitha ‘imazhin’ (e rremë) dhe njollat e bënin pis.
“Kur ishim të rinj, ne të tre vëllezërit iu bashkuam lëvizjes antifashiste për të luftuar fashizmin. Iu bashkuam partizanëve dhe Partisë Komuniste. Jo se ishim komunistë, por se ata thirrën të parët për rezistencë dhe ne vamë. Vamë në luftë. Dy nga tre vëllezërit e lamë luftën, i treti vazhdoi dhe shkoi deri kryetar i këshillit të të rinjve”.
Sytë i mbushen me lot kur kujton. Kanë kaluar më se 75 vjet nga lufta. Kanë kaluar më se 75 vjet nga hera e fundit që pa të vëllanë.
“Një ditë, nuk e di se si e nuk di se kujt, vëllai im kishte thënë që Partia Komuniste drejtohej nga Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi. E vranë”. Partia nuk ia kish falur të vërtetën, as kur vite më vonë u dënuan grupe armiqësore pikërisht për raportet me jugosllavët, Mosi i vrarë maleve nuk u fal.
E pyes nëse ia kanë gjetur eshtrat. Mohon me kokë dhe sytë i bëhen të ujtë. I them se tashmë kanë nisur kërkimet për të pagjeturit falë një marrëveshjeje mes Autoriteti të Dosjeve dhe Komisionin Ndërkombëtar të të Zhdukurve dhe se para se të kthehet në SHBA duhet të lërë një kampion ADN për ta kërkuar.
Pirro Mosi psherëtin. Kanë kaluar mëse 75 vjet nga koha kur e humbi të vëllanë dhe pothuaj ndjehem keq që po i kujtoj kohë të trishta. “Ç’të kërkoj moj çupë? Ata e pushkatuan. E zhveshën dhe e lanë me të linjta në mes të malit pa e varrosur. Kushedi ç’është bërë me trupin e tij”.
Nuk e pyes dot nga i di këto të dhëna. Pas ndoca çastesh heshtjeje më thotë se vendi ynë ka qenë gjithnjë i pushtuar nga barbarë dhe arkeologjia zbulon gjithnjë e më shumë prej historisë se ç’na bënë ne barbarët. “Por komunistët ishin më barbarët nga të gjithë. Ata ishin më barbarët”.
Fjalët e tij të fundit janë një farë testamenti. Janë si 10 urdhëresat e Moisiut. Në gjithë bisedën e tij në një stol në të vjetër në sheshin e teatrin, 92-vjeçari na ka mësuar të nderojmë prindin (emrin e familjes dhe trashëgiminë), të mos vjedhim(as pronë, as truall, as nder), të mos bëjmë dëshmi të rreme(me mbrojt të pamborjtshmen), mos me lakmo gjënë e tjetrit(as truall as pasuri); ka vetëm një Perëndi në atë shesh – e ai është teatri./GSH.al/Fatmira Nikolli