Vjen përgjigja: Sabotoi operacionin duke informuar të kërkuarin, gjermanët “gozhdojnë” dyshin e OFL-së
Autoritetet gjermane i kanë kthyer përgjigj letër porosisë së SPAK në lidhje me hetimet që po kryhen për drejtuesin e lartë të Policisë, Artan Shkëmbi, i hetuar për nxjerrje të sekretit hetimor dhe korrupsion.
Gazetari Ermal Vija bën me dije se në këtë letër-porosi, autoritete gjermane kanë shpjeguar se si kuptuan që personat e hetuar prej tyre kishin rënë në dijeni të hetimit. Sipas letër porosisë ka qenë një mesazh që nr.2 i OFL-së, i ka dërguari një personi të vënë nën hetim nga autoritetet gjermane.
Mesazhi i cili i është dërguar të hetuarve është një foto e bërë mbi një pajisje elektronike të të dhënave në sistemin Deep see. Konkretisht, kërkesa e autoriteteve gjermane për verifikimin e pasurive apo verifikime të tjera të dobishme për hetimet e nisura ndaj shtetasve K.V dhe A.P., i është dërguar të hetuarit K.V. më datë 10.04.2020 rreth orës 16:00.
Përveç kërkesës së datës 19.03.2020 të Grupit të Përbashkët Hetimor për Narkotikët në Kil (GER Kiel) është evidentuar nga autoritetet gjermane se shtetasit K.V. i janë përcjellë edhe fotot e tij dhe të personit tjetër nën hetim A.P., së bashku me të dhënat e nxjerra nga sistemi Deep See.
Kujtojmë se disa ditë më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e Artan Shkëmbit për tu rikthyer në detyrë. Sipas vendimit të gjykatës së Lartë nuk ka asnjë shkelje proceduriale nga gjykata e Apelit dhe për këtë shkak vendosi të mos pranonte ankimin e bërë nga Shkëmbi, duke rrëzuar kërkesën e tij. Ndaj Artan Shkëmbit, GJKKO ma caktuar masën e “pezullimit nga detyra“.
Pezullimi i Shkëmbit ka ardhur pas një informacioni të mbërritur nga drejtësia Gjermane, e cila kishte kërkuar hetim dhe bashkëpunim për dy trafikantë shqiptarë, Aleksandër Prronin e Klaudio Vukajn. Sipas informacionit nga gjermanët, trafikantët janë lajmëruar nga Shkëmbi se ishin vënë në hetim për verifikimin e pasurisë. Gjithashtu në vendimin për mos rikthimin e tij në detyrë, kolegji penal i Gjykatës së Lartë arsyeton se ka dyshime të bazuara në prova, se i hetuari Artan Shkëmbi, mund të ketë përcjellë të dhëna që janë të mbuluara nga sekreti hetimor tek personat që po hetohen në Gjermani, përmes një personi të tretë akoma të paidentifikuar.
Shtetasi Artan Shkëmbi për shkak të funksionit të tij si drejtues i lartë në Policinë e Shtetit, dyshohet se ka zbuluar akte sekrete, duke dekonspiruar hetimet që po zhvilloheshin në Gjermani ndaj disa shtetasve shqiptarë, veprim ky që dyshohet të jetë kryer prej tij për shkak të marrjes së një përfitimi të parregullt apo duke ndihmuar këto shtetas të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale, duke krijuar lehtësi për to në vijimin e aktiviteti kriminal. /abcnews.al