​Vjosa Osmani në Bruksel: Mbështetja nga PE, garanci për rrugën europiane të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbërritur në Bruksel dhe ka takuar Presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola. Osmani ka theksuar se Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës europiane.

Për këtë si dhe për mbështetjen e vet presidentes Metsola, Osmani ka shprehur po ashtu mirënjohjen e thellë të popullit dhe të institucioneve të Kosovës.

“Në një diskutim të hapur dhe përmbajtjesor me presidenten e Parlamentit, Roberta Metsola në Bruksel, diskutuam për nevojën që liderët e vendeve anëtare të BE-së ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane, e kanë vendin në BE“, ka theksuar Osmani pas takimit.

Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.

SHKARKO APP