VKM/ Qeveria miraton procedura të reja për deklarimin e vendbanimit në e-Albania!
Qeveria ka miratuar një vendim të ri që përcakton mënyrën e re të deklarimit, ndryshimit dhe saktësimit të vendbanimit apo vendqëndrimit të qytetarëve, e cila tashmë do të bëhet vetëm në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania.
Sipas vendimit, qytetarët që duan të deklarojnë ose ndryshojnë adresën e banimit duhet të ngarkojnë dokumente që vërtetojnë adresën, si kontratë qiraje, pronësie apo huadhënie banese. Nëse dikush kërkon të regjistrohet në një familje tjetër, kryefamiljari duhet të japë miratim online. Adresa e banimit duhet të jetë e njëjtë për të gjithë anëtarët e familjes dhe të përputhet me standardet ligjore të adresimit.
Rregulla specifike parashikohen edhe për të burgosurit dhe personat që qëndrojnë në institucione shëndetësore për më shumë se tre muaj. Këto institucione kanë detyrimin të njoftojnë gjendjen civile brenda 48 orëve pas përmbushjes së këtij afati, ndërsa pas daljes së tyre, njoftimi duhet të bëhet brenda 5 ditëve.
Gjithashtu, për çdo mospërputhje në adresat e familjarëve apo mangësi në dokumentacion, gjendja civile do të njoftojë qytetarët për përmirësim brenda afateve të caktuara. Në disa raste, nëpunësit mund të korrigjojnë vetë të dhënat pa kërkuar aplikim nga qytetarët.
Vendimi i ri shfuqizon rregulloren e mëparshme të vitit 2009 dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Zbatimi i tij do të ndiqet nga Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera përkatëse.
KOHA JONË SONDAZH

