Vlorë, policia shpall në kërkim 18-vjeçarin si autori i dyshuar që qëlloi më armë 39-vjeçarin

Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen “Uji i Ftohtë” ku u plagos me armë zjarri një 39-vjeçar.

Policia ka mundur që të identifikojë autorin e dyshuar të ngjarjes dhe ta shpallë në kërkim këtë të fundit.

Mësohet se 18-vjeçari në fjalë është dërguar nga dikush tjetër për të dhënë një mesazh.

Burimet e policisë Vlorë shprehen se 18-vjeçari ka kërkuar ta takojë 39-vjeçarin.

Në momentin që e ka takuar i ka dhënë këtij të fundit një telefon dhe në anën tjetër të telefonit ka folur një i afërm i tij që ndodhet në qelinë e burgut.

Ky i fundit pasi ka mbyllur bisedën me personin në telefon është goditur dy herë nga këmbët me armë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku u plagos me armë zjarri shtetasi E. L. Bazuar në provat e grumbulluar u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të ngjarjes shtetasit E. M., 18 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.” – njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP