Vlorë: Procedohet penalisht një shtetas që kishte zaptuar këtë hapësirë, duke e kthyer në parkim privat

Lirohet hapësira publike e zënë në mënyrë të paligjshme, në Vlorë.
Procedohet penalisht një shtetas që kishte zaptuar këtë hapësirë, duke e kthyer në parkim privat, në mënyrë të kundërligjshme.
Procedohet penalisht edhe drejtori i Policisë Bashkiake Vlorë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, konkretisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare si dhe Komisariati i Policisë Vlorë, në mbështetje dhe të Policisë Bashkiake, kanë kryer kontrolle në terren me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme dhe të shfrytëzuara si parkime private kundrejt pagesës.
Gjatë kontrolleve, në zonën e quajtur ish “Shkolla e Marinës”, në lagjen “10 Korriku”, u evidentua një rast ku në hapësirën publike ishin vendosur tabela dhe trarë elektrikë për ta shfrytëzuar si parkim privat me qëllim përfitimin e të ardhurave.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin R. F. (M)., 44 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Në mbështetje të Policisë Bashkiake, automjetet e parkuara në këto hapësira u tërhoqën me karrotrec, me qëllim lirimin e hapësirës publike.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për shtetasin E. I., 30 vjeç, me detyrë drejtor i Policisë Bashkiake Vlorë, i cili dyshohet se nuk ka kryer detyrën për të ndaluar këtë rast të paligjshmërisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë mbetet e angazhuar për garantimin e hapësirave publike dhe nuk do të tolerojë asnjë rast shfrytëzimi të tyre në mënyrë të paligjshme. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast të tillë në numrin 112.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?