Vlorë/ Sherr për vend parkimi, arrestohet 19-vjeçari që qëlloi me armë

Policia e Vlorës ka arrestuar ditën e djeshme një 19- vjeçar, pasi dyshohet se ka qëlluar në zonën e Lungomares në Vlorë, në drejtim të një personi tjetër. Sipas informacioneve zyrtare, mësohet se i riu njihet si person problematik, pasi edhe më herët ka qenë i përfshirë në konflikte. Ndërsa konflikti i ndodhur orët e vona të së hënës ka ndodhur për motive të dobëta mes palëve.

“Policia ka arrestuar në flagrancë një shtetas, i cili dyshohet se ka kanosur me armë një person tjetër për motive të dobëta. Vihet në pranga shtetasi D. Z., 19 vjeç, banues në Vlorë. Kapja dhe arrestimi i tij u bë, pasi gjatë orëve të natës, në ambientet e jashtme të një hoteli në lagjen ‘Ujë i Ftohtë’ Vlorë, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në ajër, duke kanosur kështu shtetasin T. D. për motive të dobëta. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme në ngarkim të këtij shtetasi, për veprën penale ‘Armëmbajtja pa leje’ dhe ‘Kanosja’”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.

Sipas burimeve nga uniformat blu, 19-vjeçari është konfliktuar me administratorin e një hoteli në atë zonë. Shkak ka qenë një vend parkimi.

Pasi janë konfliktuar verbalisht, burimet thanë se i riu ka qëlluar me armë në ajër duke kanosur kështu edhe administratorin e hotelit. Fatmirësisht, në këtë ngjarje nuk pati të lënduar në njerëz. Menjëherë Policia është vënë në ndjekje të të riut, duke e arrestuar atë pak kohë pas ngjarjes.

SHKARKO APP