VMRO-DPMNE kundër propozimit francez: Do dalim në protestë

Kreu i VMRO-DPMNE-së në Maqedoninë e Veriut, Hristijan Mickoski thotë se nuk e pranon propozimin francez në lidhje me veton që ka vënë Bullgaria e që ndikon në anëtarësimin e saj në BE. Ai e hedh poshtë dhe e quan si të papranueshëm. Për të propozimi i jep të drejtën Bullgarisë të ndryshojë librat e historisë në vend dhe gjuha maqedonase të njihet si dialekt i gjuhës bullgare. Ndaj edhe Mickoski fton në protestë të gjithë qytetarët para qeverisë.

“Propozim i cili është ultimatum për të ardhmen e Maqedonisë tonë. Propozim që është diktat për kërkesa megalomane, aspirata historike ndaj Maqedonisë. Për një propozim të tillë, përgjigja është “Jo falemnderit”.

Propozimi që është në tavolinë dhe të cilin qeveria e fshehu dhe deri tek i cili erdhëm ne nëpërmjet kanaleve tona gjegjësisht është i njëjti i cili një herë ishte refuzuar. Me keqardhje duhet të konstatoj se ky propozim i përmban të gjitha kërkesat bullgare, edhe në pjesën e historisë, edhe në pjesën e gjuhës, edhe në pjesën e identitetit.

Pranimi i këtij propozimi nënkupton e drejtë e plotë e Bullgarisë të ndryshojë libra dhe t’i shkruajmë sipas diktatit bullgar dhe fëmijët tanë në fillore të mësojnë siç dikton Bullgaria ose nuk ka të ardhme evropiane. Pranim se Goce Dellçev, Dame Gruev, Jane Sandanski dhe heronjtë e revolucionarët e tjerë kanë qenë bullgarë, se gjuha maqedonase është dialekt i bullgarishtes”, tha Hristijan Mickoski.

SHKARKO APP