VOA: Po vjen pilula që të ul në peshë!
Nga “Zëri i Amerikës”-
Po sikur trajtimi për mbipeshën të ishte thjesht një pilulë e përditshme?
Tek kjo ide kanë shpresuar mbi 40% e amerikanëve që konsiderohen obezë, megjithëse është kritikuar nga aktivistët që kërkojnë pranim më të gjerë në shoqëri të mbipeshës. Së shpejti, kjo ide mund të bëhet realitet.
Sipas dy studimeve të publikuara të shtunën, variantet me pilula të ilaçit kundër mbipeshës “Wegovy” mund të funksionojnë po aq mirë sa injeksionet që tashmë po përdoren gjerësisht për të balancuar peshën dhe për të përmirësuar gjendjen shëndetësore. Ilaçi i fuqishëm duket se është i efektshëm edhe për personat me diabet, të cilët e kanë shumë më të vështirë për të humbur peshën e tepërt.
Kompania farmaceutike “Novo Nordisk” planifikon të kërkojë gjatë këtij viti miratimin e Administratës amerikane për Barnat dhe Ushqimet (FDA).
“Nëse i pyesni njerëzit nëse duan të marrin një pilulë apo një injeksion, shumica dërrmuese do të zgjedhin pilulën”, thotë Dr. Daniel Bessesen, drejtues i endokrinologjisë në spitalin “Denver Health”, ku kurohen pacientë obezë, por që nuk ishte pjesë e studimit të ri.
Kjo nëse prezumojmë që të dyja metodat, thotë Dr. Bessesen, janë njësoj efikase, të disponueshme dhe me kosto të përballueshme. “Këta janë faktorët më të rëndësishëm për njerëzit”, thotë ai.
Në treg ka patur pilula të tjera për humbjen e peshës, por asnjëra nuk ka arritur rënie domethënëse në peshë si ilaçet intravenoze si “Wegovy”. Personat obezë të ishin shumë të lumtur që të kishin një opsion pilule që do të ishte po aq efikas, thotë Dr. Katherine Saunders, profesore e mjekësisë në klinikën “Weill Cornell Health” dhe bashkëthemeluese e “Intellihealth”, një kompani që përqëndrohet tek trajtimi i obezitetit.
Kompania “Novo Nordisk” prodhon tashmë ilaçin “Rybelsus”, që është liçencuar për të trajtuar diabetin dhe është version pilulë i ilaçit “Semaglutid”, i njëjti medikament që përdoret në ilaçet për diabetin “Ozempic” dhe “Wegovy”. Ilaçi prodhohet në doza deri në 14 miligramë.
Rezultatet e dy provave të nivelit më të lartë shkencor, tashmë të publikuara gjatë takimit vjetor të Shoqatës Amerikane të Diabetit, përqëndrohen tek efektet e dozave deri në 25 dhe 50 miligramë për rënien në peshë, përmirësimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe tregues të tjerë shëndetësorë.
Studimi 16-mujor me 1,600 pjesëmarrës që ishin mbipeshë apo obezë, dhe që po trajtoheshin për diabetin e tipit 2, zbuloi se pilulat e përditshme me doza të larta kishin ulur nivelin e sheqerit në gjak shumë më tepër se doza standarte e ilaçit “Rybelsus”. Nga një peshë mesatare prej mbi 96 kilogramësh, dozat e larta gjithashtu arritën një rënie në peshë prej 6.8 – 9.07 kilogramësh, krahasuar me rreth 4.55 kilogramë të humbura me dozat më të vogla.
Një tjetër studim 16-mujor me pjesëmarrje të mbi 660 personave në moshë madhore që kishin obezitet, apo ishin mbipeshë, dhe që kishin të paktën një sëmundje tjetër të ndërlidhur – por jo diabetin – zbuloi se një pilulë e përditshme 50 miligramëshe i ndihmoi të humbasin mesatarisht 15% të peshës (15.88 kilogramë).
Kjo është dukshëm në përputhje me humbjen në peshë të arritur nga dy injeksione të përjavshme të ilaçit “Wegovy”, thonë autorët e studimit.
Por, pati megjithatë efekte anësore. Rreth 80% e pjesëmarrësve që morën pilula me ilaçin “Semaglutide” përjetuan situata si probleme të lehta deri në të moderuara të aparatit tretës, marrje mendsh, kapsllëk dhe diarre.
Në provën me pilulat 50 miligramëshe, pati evidencë nivelesh më të larta tumorësh beninj tek personat që merrnin ilaçin. Gjithashtu, rreth 13% e tyre patën ndryshim në ndjesinë e lëkurës, si irritim apo rritje të ndjeshmërisë.
Ekspertët e mjekësisë mendojnë se pilulat do të bëhen popullore, në veçanti në radhët e të rinjve që duan të humbasin peshë, por që u druhen gjilpërave. Gjithashtu, tabletat do të ishin shumë më popullore se shiringat që duhet të ruhen në frigorifer.
Por, pilulat nuk janë domosdoshmërisht opsioni më i mirë për qindra mijëra njerëz që po marrin tashmë variantin me injeksion të ilaçeve “Ozempic” apo “Wegony”, thotë Dr. Fatima Cody Stanford, eksperte për mjekimin e obezitetit në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit.
“Nuk shikoj ndonjë hezitim domethënës ndaj bërjes së injeksioneve”, tha ajo. “Shumë njerëzve u pëlqen ta marrin medikamentin një herë në javë”.
Gjithashtu, ajo thotë se disa pacientë mund të preferojnë injeksionet në vend të pilulave, të cilat duhet të merren 30 minuta përpara ushqyerjes apo lëngjeve në mëngjes.
56-vjeçari Paul Morer, i cili është i punësuar në sistemin spitalor në Nju Xhersi, humbi 38 kilogramë me ilaçin “Wegovy” dhe shpreson të humbasë edhe 13 të tjera. Ai thotë se ndoshta do të vazhdojë me injeksionet e përjavshme, edhe nëse do të bëhen të disponueshme pilulat.
“E bëj (gjilpërën) gjatë mëngjesit të së shtunës. Është pjesë e rutinës time”, tha ai. “As nuk e ndjej gjilpërën. Nuk është problem”.
Disa kritikë shprehin shqetësimin se pilula do të rriste trysninë ndaj personave obezë që ta përdorin atë, duke e shtuar kështu paragjykimin në shoqëri ndaj personave që nuk munden – ose që nuk dëshirojnë – të humbasin peshë, thotë Tigress Osborn, drejtuese e Shoqatës Kombëtare për Pranimin e Mbipeshës.
“Nuk i shpëton dot nocionit se ke trupin e gabuar dhe se duhet ta ndryshosh”, thotë zonja Osborn.
Sidoqoftë, kompania “Novo Nordisk” parashikon se një pilulë me dozë të lartë do të fitojë popullaritet për trajtimin e diabetit dhe obezitetit. Shitjet e medikamentit “Rybelsus” arritën në gati 1.63 miliardë dollarë vitin e kaluar, rreth dyfishi i shifrës së vitit 2021.
Kompani të tjera po punojnë për të prodhuar variante ilaçesh me pilula që funksionojnë po aq mirë se ilaçi “Mounjaro” i kompanisë “Eli Lilly and Co.” – një medikament intravenoz për diabetin që pritet të miratohet së shpejti për t’u përdorur edhe për humbjen e peshës. Studiuesit e kompanisë Lilly njoftuan rezultate premtuese nga provat për një pilulë të quajtur “Orforglipron” për trajtimin e pacientëve që janë obezë apo mbipeshë, me apo pa diabet.
Edhe kompania Pfizer ka nxjerrë rezultatet paraprake nga provat për ilaçin dangulgipron, një pilulë për diabetin që merret dy herë në ditë, së bashku me ushqimin.
Zyrtarët e kompanisë Novo Nordisk thonë se është tepër herët për të thënë se sa do të jetë kostoja e pilulave, apo se si do të garantojë kompania kapacitet e mjaftueshme të prodhimit për të plotësuar kërkesat. Megjithë popullaritetin në rritje, furnizimi do të jetë i ulët, të paktën deri në muajin shtator, me dozat me injeksion të ilaçit Wegovy, thanë zyrtarët e kompanisë./VOA/