Vodafone dhe FSHF, së bashku për transformimin dixhital të futbollit në Shqipëri
Vodafone Albania dhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), anëtare e UEFA-s, bënë bashkë ekspertë të teknologjisë, ekipe inovacioni dhe drejtues të lartë në një iniciativë mjaft të rëndësishme: një Bootcamp Dixhital, të parin në llojin e tij, me qëllim projektimin e së ardhmes së tifozëve të futbollit në Shqipëri.
I zhvilluar në kuadër të “Spirit Day” tremujor të Vodafone Albania, kjo iniciativë shënon herën e parë që ekipi dixhital i kompanisë punon drejtpërdrejt me FSHF-në për të bashkëkrijuar zgjidhje praktike teknologjike, që adresojnë nevoja reale operacionale dhe angazhimin e tifozëve ndaj futbollit.
Bootcamp-i u fokusua në zhvillimin e zgjidhjeve dixhitale që do të forcojnë mënyrën se si Federata lidhet me tifozët, si dhe përmirëson shërbimet dhe rrit ekosistemin e përgjithshëm të futbollit në Shqipëri. Në fokus janë platformat për angazhimin e tifozëve, analizat e bazuara në të dhëna, shërbimet dixhitale dhe mjetet moderne të komunikimit, të dizenjuara për t’ia afruar mbështetësit me lojën më shumë se kurrë më parë.
“Kur dy kampionë bashkohen, rezultatet më të mira janë ato që arrihen. Mendoj se pikërisht këtë kemi parë sot. Ne jemi sponsor krenar i ekipit kombëtar të futbollit dhe i Federatës Shqiptare të Futbollit, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe përmes ekspertizës dhe teknologjisë dixhitale që Vodafone ofron. Sot pamë një gamë të jashtëzakonshme idesh, që shërbejnë për të përmirësuar përvojën e tifozëve dhe për t’u dhënë atyre mundësinë ta përjetojnë këtë sport fantastik edhe më mirë në të ardhmen, përmes mundësive që jep teknologjia”, – u shpreh Balázs Révész, CEO i Vodafone Albania.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, theksoi rëndësinë e transformimit dixhital për organizatat moderne sportive.
“Ky ishte një aktivitet shumë i veçantë, shumë i bukur dhe vërtet me rezultate shumë pozitive. Synimi ishte se si ta përdorim teknologjinë në të mirë të komunikimit, në të mirë të afrimit me tifozët, që të komunikojmë sa më mirë përmes teknologjisë. Vërtet idetë ishin fantastike; mënyra e zgjedhur se si t’i marrim këto ide nga ekspertë, specialistë dhe punonjës të Vodafone ishte shumë e bukur dhe besoj se pati një produkt që do të na shërbejë. Padyshim që do të elaborohen më tej dhe do të ndërtojmë projektin e plotë të digjitalizimit të komunikimit të Federatës dhe njerëzve të futbollit, kryesisht me tifozët, që t’i njoftojmë sa më mirë dhe t’i afrojmë sa më shumë ata me futbollin”, – u shpreh Duka.
Në këtë Bootcamp u prezantuan katër ide: i pari për ridimensionimin e website-it dhe aplikacionit të FSHF-së; i dyti me krijimin e skemës së besnikërisë për fansat e futbollit për të përfituar benefite sa më shumë që të përdorin aplikacionin e FSHF-së; i treti ishte për unifikimin e të gjitha sistemeve të menaxhimit të FSHF nën një sistem të vetëm për menaxhimin e fansave, sponsorave, lojtarëve etj.; dhe i katërti krijimi i një asistenti dixhital online për t’iu përgjigjur fansave në kohë reale, i quajtur Alban. Ndër katër idetë e prezantuara, fitues u shpall projekti për ridimensionimin e web-it dhe app-it të FSHF-së.
Duke ndërthurur ekspertizën e kompanisë lider në teknologji në Shqipëri me vizionin e institucionit drejtues të futbollit në vend, iniciativa demonstron se si dy kampionë kombëtarë mund të bashkëpunojnë për të çuar përpara të ardhmen e futbollit shqiptar.
Vodafone Albania vazhdon të investojë në inovacion, ekselencë të rrjetit dhe zgjidhje dixhitale që fuqizojnë institucionet, bizneset dhe qytetarët, duke forcuar rolin e tij si katalizator i progresit dixhital në Shqipëri.

KOHA JONË SONDAZH

