Vodhën 9 banesa në Tiranë, kapen në flagrancë dy persona me precedentë penalë
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Gracka”, i zhvilluar nga Komisariati Nr. 1, me qëllim zbardhjen e një serie vjedhjesh banesash të ndodhura gjatë muajve të fundit. Si rezultat i këtij aksioni, janë arrestuar në flagrancë dy shtetas, të dyshuar si autorë të disa prej këtyre rasteve.
Të ndaluarit janë një 34-vjeçar dhe një 39-vjeçar, të cilët rezultojnë me precedentë penalë për vepra të mëparshme, përfshirë vjedhje me dhunë dhe krime kundër personit. Ata u kapën në rrugën “Panorama e Liqenit”, ndërsa lëviznin me një motomjet që dyshohet se ishte i vjedhur. Gjatë kontrollit, policia u gjeti edhe mjete të ndryshme që përdoren zakonisht për kryerjen e vjedhjeve, çka ngriti dyshimet se ata ishin në përgatitje për të realizuar të tjera ngjarje kriminale.
Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij operacioni, rezulton se këta shtetas janë të përfshirë në të paktën nëntë raste vjedhjesh banesash në Tiranë. Ata dyshohet se kanë marrë shuma parash, pajisje elektronike dhe sende të tjera me vlerë nga banesat e grabitura.
Gjatë operacionit janë sekuestruar prova materiale, përfshirë motomjetin e dyshuar të vjedhur, sende të ndryshme të përfituara nga aktiviteti kriminal, si dhe armë të ftohta dhe objekte të tjera të paligjshme.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbuluar nëse dy të arrestuarit janë të përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjesh. Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve ligjore.
KOHA JONË SONDAZH

