Vodhi qindra mijëra euro nga banesa e ish-zyrtares, lirohet nga burgu pastruesja Rozeta Dobi
Rozeta Dobi, e njohur si pastruesja që vodhi qindra mijëra euro në një nga ngjarjet më të bujshme të vitit 2023, ka fituar sot lirinë nga burgu i grave në Pojskë, pasi përfitoi nga amnistia penale.
Dobi u arrestua në janar të vitit 2023 për vjedhjen e 120 mijë eurove, 30 mijë dollarëve amerikanë dhe sendeve me vlerë nga banesa e ish-zyrtares së lartë të shtetit, Alda Klosi, ku punonte prej rreth pesë vitesh si pastruese.
Gjatë hetimeve, policia ushtroi kontroll në banesën e Rozeta Dobit, ku u gjetën dhe sekuestruan 404 mijë euro, 8 500 dollarë amerikanë dhe një sasi bizhuterish floriri, të fshehura në tubin e aspirimit. U sekuestruan gjithashtu 58 150 euro, 7 mijë dollarë, 368 mijë lekë të rinj dhe tre automjete, dy prej të cilave dyshohej se ishin blerë me paratë e përfituara nga vjedhja.
Çështja mori jehonë të madhe publike jo vetëm për shumat e konsiderueshme të parave të gjetura, por edhe për hetimet që pasuan mbi origjinën e tyre.
Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, Rozeta Dobi ka rifituar sot lirinë, duke lënë qelinë e burgut të Pojskës si përfituese e amnistisë penale.
KOHA JONË SONDAZH

