Voltana Ademi nuk tërhiqet, prezanton investimet në infrastrukturë
Një ditë pas takimit me ambasadorin e OSBE, kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ka paralajmëruar se nuk do t’ia dorëzojë detyrën Valdrit Pjetrit, i votuar në 30 qershor, madje në rrjetet sociale ajo ka lajmëruar nisjen e punimeve në rrugen “Hazif Ali Ulqinaku”. Fondi i investimit shkon në 5.4 milion leke.
Ademi: Janë rreth 30 familje që kanë aksesin dhe përfitojnë nga kjo rrugë.
Sipas kryebashkiakes kjo rruge është e nevojshme për tu lidhur me rrugën kryesore dhe infrastrukturën nëntokësore.
Ademi: Do të vijojmë punimet në lagjen 4 me investime të tjera të parashikuara në buxhetin e vitit 2019.
Ademi më parë ka deklaruar se nuk i njeh votimet e 30 qershorit, pasi në dekretin e dytë të presidentit është zyrtarizuar data 13 tetor për zhvillimin e votimeve.
Ndërkaq PD përmes një deklarate për mediat akuzon se Valdrin Pjetri ka fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge dhe duhet të ndiqet penalisht.
Pjerin Ndreu i votuar në Lezhë sipas PD është në listën e zezë të partnerëve prej vitit 2003 dhe i larguar nga policia për përfshirje në trafiqe, Artur Bushi i Krujës mbaroi një mandat si bashkiak, trafikant në Itali dhe e Rama e rikandidoi.